Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Raimondo G.P Shpk dhe Li.Bo-Albania Branch Shpk dhe dhënien e disa detyrimeve ndaj këtyre dy ndërmarrjeve.

Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se:

  • Ndërmarrjet Rajmondo GP SHPK dhe Li.Bo Albania Branch SHPK kanë të njëjtën seli ligjore, të njëjtën adresë e-maili dhe numër telefoni.

Lidhur me këtë konstatim, gjatë seancës dëgjimore është shpjeguar se pasja e një selie ligjore dhe një adrese e-mail dhe numër telefoni ka ardhur si pasojë e kontraktimit të ndërmarrjes Prime Advisory Albania SHPK për shërbimet e konsulencës dhe kontabilitetit. Ndërmarrjet kanë shpjeguar se janë lënë kontaktet e Prime Advisory për shkak se komunikimet duhet të ishin në gjuhën shqipe dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve nuk e njohin gjuhën shqipe. Vetë Prime Advisory Albania SHPK kryen shërbimet e konsulencës dhe kontabilitetit për disa ndërmarrje të huaja.

  • Ndërmarrjet Rajmondo GP SHPK dhe Li.Bo Albania Branch SHPK kanë disa dokumenta që rezultojnë me elementë të ngjashëm.

Lidhur me këtë konstatim, ndërmarrjet kanë shpjeguar gjatë seancës dëgjimore se përkthimet kanë kërkuar ndihmën e Prime Advisory Albania, noterizimet janë kryer tek noteri i ndërmarrjes ku Prime Advisory referohet për procedura të ndryshme dhe dokumentacioni nga të tretë si sigurimi i ofertës, ekstraktet e QKB, etj., janë gjeneruar po nga ndërmarrja Prime Advisory Albania. Por dokumentacioni i lidhur me shumën e ofertuar është bërë në mënyrë të pavarur nga secila ndërmarrje.

  • Informacioni i administruar gjatë procedurës së hetimit të thelluar nga ndërmarrja Raimondo GP SHPK, e cila flet dhe në emër të ndërmarrjes Li.Bo Branch SHPK.

Lidhur me këtë konstatim, ndërmarrja Raimondo GP SHPK në seancë dëgjimore ka shpjeguar se nuk ka folur në emër të Li.Bo Branch SHPK, por vetëm i është referuar si një ndërmarrje e lidhur në këtë proces hetimor.

Sa më sipër, për shkak të mënyrës se si ndërmarrjet Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – ALBANIA Branch SHPK kryejnë aktivitetin në Shqipëri, duke qenë se Li.Bo ka qenë furnitor i Raimondo G.P SHPK si dhe gjithashtu për shkak se gjatë procedurës së inspektimit nuk janë gjetur evidenca direkte, për të vërtetuar ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar midis ndërmarrjeve, Komisioni i Konkurrencës vlerëson se, me gjithë ekzistencën e dyshimeve, nuk ka prova të mjaftueshme që të krijojnë bindjen e plotë që në tregun e prokurimit me objekt “Blerje vegla speciale dhe pajisje instrumente, vegla elektrike dhe digjitale (pajisje për kontrollin dhe matjen e mbrojtjes katodike CIPS dhe DCVG)”, ndërmarrjet Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – ALBANIA të ketë shkelje të nenit 4, pika 1 të Ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1049 , datë 16.01.2024, vendosi:

  1. Mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK.
  2. Detyrimin e ndërmarrjeve Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK që brenda 90 ditëve të realizojnë ndryshimet përkatëse për të kryer një aktivitet të pavarur nga njeri tjetri dhe konkretisht:
  3. Të ndryshojnë selinë e ushtrimit të aktivitetit;
  4. Të kenë adresa e-mail dhe numra telefoni të pavarur nga njëri tjetri;
  • Detyrimin e ndërmarrjeve Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK që kur marrin pjesë individualisht në procedurat e prokurimit publik të ofertojnë në mënyrë të pavarur.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.

Shkarko Vendimin

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.