Tiranë, 25-26 maj 2026 – Në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian TAIEX, Autoriteti i Konkurrencës organizoi seminarin dyditor me temë “Përafrimi i legjislacionit, përgatitja për anëtarësimin, vlerësimi i impaktit dhe Politika e Konkurrencës”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Autoritetit Italian të Konkurrencës (AGCM).
Ky seminar u zhvillua në funksion të mbështetjes së procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në Kapitullin 8 “Politika e Konkurrencës”, duke trajtuar çështje që lidhen me zbatimin e rregullave antitrust, kontrollin e përqendrimeve, sfidat e transpozimit të acquis të BE-së, funksionimin e European Competition Network (ECN), programi i lehtësimit nga gjobat, procedurat e settlement, si dhe sfidat e tregjeve dixhitale dhe kuadrit të ri evropian DMA.
Ekspertët e Autoritetit Italian të Konkurrencës (AGCM), z. Gianluca Sepe, z. Enrico Labella dhe z. Gabriele Maria Polito, ndanë përvojën institucionale dhe praktikat më të mira të zbatimit të së drejtës së konkurrencës në kuadër të integrimit evropian.
Gjatë dy ditëve të seminarit u diskutuan, ndër të tjera:
- – sfidat e transpozimit të Direktivës ECN+;
- – bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kombëtare të konkurrencës në kuadër të ECN;
- – procedurat kundër kartelëve dhe settlement;
- – promovimi i reformave pro-konkurruese;
- – zbatimi i rregullave të konkurrencës në tregjet dixhitale;
- – kuadri i ri dixhital i Bashkimit Evropian (DMA);
- – sfidat pas anëtarësimit në kontrollin e përqendrimeve dhe përshtatjen e pragjeve për tregje të vogla.
Ky aktivitet përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale të Autoritetit të Konkurrencës dhe në përgatitjen për procesin e integrimit evropian, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira me autoritetet homologe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian



