Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 636 prot., i AK, datë 20.07.2026, “Njoftimi i Përqendrimit ndërmjet Volkswagen Aktiengesellschaft, Nikolaus (BC) Bidco GmbH /Everllence SE”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të përbashkët të shoqërisë Everllence SE nga shoqëritë Volkswagen Aktiengesellschaft dhe Nikolaus (BC) Bidco GmbH.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: Nikolaus (BC) Bidco GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit gjerman, e krijuar për qëllime të transaksionit të propozuar, me objekt aktiviteti themelimi, blerja, mbajtja, administrimi dhe shitja e ndërmarrjeve, e pjesëmarrjeve në ndërmarrje dhe aktivitete të tjera, marrja përsipër e menaxhimit dhe përfaqësimit të shoqërive, si dhe ofrimi i funksioneve holding dhe menaxhimit etj.
Nikolaus kontrollohet nga fondet e administruara dhe/ose nën konsulencën e Bain Capital.
Shoqëritë e portofolit të kontrolluara nga Bain Capital nuk kanë asnjë filial në Shqipëri, por kanë realizuar xhiro nëpërmjet aktiviteteve të një numri të kufizuar të shoqërive të portofolit që kontrollon.
Shitësi: Volkwagen Vermögensverwaltungs – GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit gjerman, shoqëri e Grupit Volkwagen.
Shoqëria target: Everllence SE është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit gjerman, me objekt aktiviteti zhvillimi, projektimi, prodhimi, shitja dhe shërbimi i makinerive dhe pajisjeve të të gjitha llojeve, në veçanti motorëve me naftë të të gjitha llojeve dhe për të gjitha aplikimet, duke përfshirë motorët detarë dhe motorët për instalime stacionare, dhe turbomakineritë dhe kompresorët, si dhe ofrimi i të gjitha shërbimeve të lidhura, duke përfshirë licencimin. Everllence është një filial i zotëruar indirekt nga Volkswagen Aktiengesellschaft, kompania mëmë e Grupit Volkswagen.
Grupi Volkswagen operon në Shqipëri përmes shoqërive të zotëruar indirekt prej tij:
Porsche Albania SHPK, me objekt veprimtarie shitje me shumicë dhe me pakicë e automjeteve të të gjitha llojeve, pjesëve dhe aksesorëve të tyre, kryerje e riparimeve të të gjitha llojeve të automjeteve, përfshirë montimin e automjeteve të përfunduara, modifikim i automjeteve dhe prodhim i pjesëve dhe aksesorëve, konsulencë dhe kryerje e shërbimeve për administrimin e automjeteve dhe parkut te automjeteve.
Porsche Leasing SHPK, me objekt të veprimtarisë dhënie e qirasë financiare dhe shërbimin e sigurimeve të lidhura me shitjet e automjeteve.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
