Tiranë, 14 maj 2026 – Në zbatim të Marrëveshjes Bashkëpunimit, me qëllim forcimin e kulturës së konkurrencës për studentët dhe stafin akademik, edhe në kuadër të modulit Jean Monnet “EU Competition Law and Digital Markets”, Departamenti i Drejtësisë në Universitetin EPOKA në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës organizuan Shkollën verore “Konkurrenca në tregjet Dixhitale” dhe panelin publik me temë “Zbatimi i Rregullave të Konkurrencës të BE-së dhe Shqipërisë në Mjedisin Digjital: Sfidat dhe Perspektivat.”
Nën moderimin e koordinatorit të projektit Gentjan Skara, paneli përbëhej nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba dhe profesoret Christian Bergqvist (Universiteti i Kopenhagenit), Kalpana Tyagi (Universiteti i Mastrihtit) dhe Arletta Gorecka (Kolegji Ndërkombëtar i Glasgow). Gjithashtu gjatë shkollës verore një prezantim u mbajt për studentet në lidhje me rolin e Autoritetit të Konkurrences dhe zhvillimeve në tregjet dixhitale, nga Mimoza Kodhelaj, Drejtor, Autoriteti i Konkurrencës.
Këto aktivitete mblodhën së bashku akademikë, përfaqësues institucionesh, praktikues të ligjit dhe studentë për të diskutuar një nga fushat më dinamike dhe më të rëndësishme të së drejtës moderne: zbatimin e rregullave të konkurrencës në tregjet digjitale.
Temat e trajtuara u fokusuan në mënyrën se si Bashkimi Europian dhe Shqipëria po përballen me këto zhvillime, veçanërisht në kontekstin e Aktit të Tregjeve Digjitale të BE-së (DMA) dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Diskutimet sollën perspektiva të vlefshme mbi evolucionin e zbatimit të së drejtës së konkurrencës në tregjet digjitale, duke përfshirë qasjet e Shqipërisë, Danimarkës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe sfitat në garantimi i konkurrencës së ndershme në tregjet digjitale.
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson bashkëpunimin me institucionet akademike për të edukuar profesionistët e të nesërmes mbi parimet e mbrojtjes së konkurrencës. Një falënderim i veçantë për të gjithë panelistët, pjesëmarrësit, kolegët dhe studentët që kontribuan në këto diskutime të frytshme dhe shumë të vlefshme. Biseda të tilla janë thelbësore për të siguruar që e drejta e konkurrencës të mbetet në hap me epokën digjitale.


