Në kuadër të Projektit të Partneritetit Institucional ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës dhe Qeverisë Gjermane për forcimin e zbatimit të ligjit të konkurrencës në funksion të procesit të integrimit evropian, mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, Bundeskartellamt dhe GIZ, një delegacion i Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Shqipërisë zhvilloi një vizitë studimore në Bonn, Gjermani, në datat 10–11 qershor 2026.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, z. Denar Biba, dhe përfshiu anëtarë të Komisionit të Konkurrencës, drejtues dhe ekspertë të institucionit, si dhe përfaqësues të studiove ligjore dhe të komunitetit akademik.
Programi i vizitës përfshiu takime dhe sesione pune me drejtues dhe ekspertë të Bundeskartellamt, përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, akademikë të Universitetit të Bonn-it dhe specialistë të institucioneve të tjera federale.
Gjatë vizitës u trajtuan çështje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e Bundeskartellamt, prioritetet aktuale të politikës gjermane të konkurrencës, hetimin e marrëveshjeve kartel, si dhe zbatimin e së drejtës së konkurrencës në ekonominë digjitale, me fokus në Aktin për Tregjet Digjitale (DMA) dhe mbikëqyrjen e platformave të mëdha teknologjike.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të botës akademike dhe profesionit juridik gjerman, ku u shkëmbyen përvoja mbi zhvillimet më të fundit në jurisprudencën dhe praktikën e konkurrencës në Gjermani dhe Bashkimin Evropian.
Në Universitetin e Bonn-it, delegacioni u njoh me veprimtarinë e Qendrës për Studime të Avancuara në Drejtësi dhe Ekonomi (CASTLE), ndërsa një vëmendje e veçantë iu kushtua trajtimit të praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin ushqimor dhe përvojës gjermane në këtë fushë.
Në kuadër të programit, u zhvillua edhe një sesion pune me ekipin e Kryeekonomistit të Bundeskartellamt, ku u diskutuan metodat bashkëkohore të analizës ekonomike, përdorimi i instrumenteve ekonometrike dhe roli i analizës së të dhënave në hetimet e konkurrencës.
Vizita përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Bundeskartellamt dhe në përvetësimin e praktikave më të avancuara evropiane në fushën e mbrojtjes së konkurrencës. Autoriteti i Konkurrencës mbetet i angazhuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, me synim garantimin e tregjeve konkurruese dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të vendit.



