Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, bazuar në legjislacionin për konkurrencën në fuqi, mori Vendimin nr. 861, datë 31.01.2022, për fillimin e procedurës së thelluar për vlerësimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Albania Telecom Invest AD nga shoqëria 4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag.

Albania Telecom Invest AD (ATI), është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të Bullgarisë, me objekt aktiviteti investimet dhe aktivitetet në fushën e telekomunikacioneve si dhe çdo aktiviteti tjetër që nuk ndalohet nga legjislacioni i Republikës së Bullgarisë. Shoqëria Albania Telecom Invest AD, është zotëruese e 99.899% të aksioneve te shoqërisë One Telecommunications SHA, ku kjo e fundit është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti ndërtimin, zotërimin, operimin dhe ofrimin e rrjetit publik të telefonisë së lëvizshme të standartit GSM, ofrimin e shërbimit të roamingut ndërkombëtar, etj.

4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag (4iG Nyrt) është një shoqëri aksionare/ publike e kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, me objekt aktiviteti prodhimin e kompjuterave dhe pajisjeve periferike, prodhimin e makinerive dhe pajisjeve të zyrës (përveç kompjuterëve dhe pajisjeve periferike), montimin e makinerive dhe pajisjeve industriale, organizimin e projektit të ndërtimit të objekteve, përgatitjen e sipërfaqes së ndërtimit, shërbimet e tregtisë me shumicë të kompjuterëve, njësive periferike dhe programeve kompjuterike, tregtinë me shumicë jo të specializuar, shërbimet e tregtisë me pakicë të kompjuterave, njësive periferike dhe programeve kompjuterike, etj.

Shoqëria 4iG Nyrt sapo ka hyrë në tregun e komunikimeve elektronike ne Shqipëri, pas mbylljes së marrëveshjes për përftimin e kontrollit nëpërmjet blerjes së 80.27% të aksioneve të shoqërisë Albtelecom SHA, dhe nëpërmjet transaksionit të ri të njoftuar, shoqëria 4iG Nyrt synon të marrë kontrollin e një konkurrenti tjetër në këtë treg (One Telecommunications SHA).

Bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni vlerësoi se transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim horizontal, i cili mund të krijojë pozitë dominuese të palëve në marrëveshje dhe mund të sjellë mbivendosje të aktiviteteve të tyre në nivel kombëtar.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi të fillojë procedurën e thelluar për vlerësimin e transaksionit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Albania Telecom Invest AD nga shoqëria 4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag..

Për më shumë shikoni Vendimin nr. 861, datë 31.01.2022 në caa.gov.al

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.