Rikthehen kohëzgjatjet e vlefshmërisë së paketave me parapagim në tregun e telefonisë celulare, nga 28 ditë në 30 ditë, mbështetur në rekomandimet e dhëna në Vendimin nr. 475, datë 21.09.2017 “Mbylljen e hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe dhënien e disa rekomandimeve”.
Në zbatim të këtyre rekomandimeve Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nxori Urdhrin nr. 64, datë 26.03.2018 “Për vlerësimin e ndryshimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave tarifore celulare me parapagim nga 30 në 28 ditë”, duke rikthyer kohëzgjatjen e vlefshmërisë së paketave me parapagim nga 28 ditë në 30 ditë.
Autoriteti i Konkurrencës e vlerëson zbatimin e rekomandimit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, falë të cilit u bë e mundur rikthimi i paketave 30 ditore, në përfitim të konsumatorëve të tregut të telefonisë celulare dhe zbatim të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.
Zbatimi i rekomandimeve të dhëna nga AK dhe masat rregullatore të ndërmarra nga AKEP, sigurojnë zbatimin e ligjit dhe një konkurrencë të lirë dhe efektive nga ndërmarrjet që operojnë në tregun e telefonisë celulare.
Në vijim Autoriteti i Konkurrencës do të vazhdojë monitorimin e ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg, me qëllim mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Për më shumë informacion, ju lutemi të shikoni dokumentin bashkëlidhur këtij njoftimi.