Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 832 prot. i AK, datë 17.12.2024 “Dërgohet formulari për njoftimin e përqendrimit dhe dhënien e autorizimit”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e shitjes së 90% të kuotës që shoqëria UNIQA Osterreich Versicherungen AG zotëron në shoqërinë SIGAL UNIQA Group AUSTRIA SHA.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: SIGAL BUSINESS CENTER SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt të veprimtarisë së saj investimin e kapitalit dhe të burimeve të tjera financiare, për blerje të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme dhe në vazhdim të aktiviteteve të saj, shitja e tyre, dhënia me qira e pasurive; zhvillimi dhe kryerja e aktiviteteve të shërbimeve, kërkimeve, konsulencës, projekteve dhe studimeve të të gjitha llojeve; import-eksport dhe tregtim të të gjitha llojeve të mallrave; etj.
Pala shitëse: UNIQA Osterreich Versicherungen AG është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit austriak, e cila është një kompani austriake e sigurimeve.
Shoqëria Target: SIGAL UNIQA Group AUSTRIA SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, e cila ka për objekt të veprimtarisë së saj sigurimin ndaj dëmeve dhe risigurimet, në përputhje me ligjin “Për veprimtaritë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime” si dhe çdo objekt tjetër të lejuar nga legjislacioni dhe që nuk vjen në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fushën e sigurimeve. Shoqëria nuk do të ushtrojnë veprimtari në lidhje me sigurimin e jetës.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.