Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 536, prot., i AK, datë 05.08.2024, “Konfirmim i Depozitimit të Dokumentave”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar për përfitimin e kontrollit të shoqërisë PR-TELECOM Távközlési Kereskedelmi és Szolgáltató Zártkörűen Működő Részvénytársaság dhe filialit të saj PR-WORK Korlátolt Felelősségű Társaság nga shoqëria “ANTENNA HUNGÁRIA” Magyar Műsorszóró és Rádióhírközlési Zártkörűen Működő Részvénytársaság.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: “ANTENNA HUNGÁRIA” Magyar Műsorszóró és Rádióhírközlési Zártkörűen Működő Részvénytársaság është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit hungarez. ANTENNA HUNGÁRIA është aktive në fushën e ofrimit të shërbimeve të aktivitetit të programimit dhe transmetimit televiziv, transmetimit radiofonik, aktivitetet e telekomunikacionit me kabllo dhe pa tela, satelitore dhe aktivitete të tjera të telekomunikacionit në Hungari.
ANTENNA HUNGÁRIA operon në Shqipëri përmes shoqërisë të zotëruar indirekt prej saj ONE ALBANIA SHA, një shoqëri shqiptare me aktivitet në tregun e komunikimeve elektronike.
Pala shitëse: Shoqëria FOREFCOM Korlátolt Felelősségű Társaság, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Hungarisë dhe disa persona fizikë, zotërues të aksioneve të PR – TELECOM Zrt.
Shoqëria target:
PR – TELECOM Távközlési Kereskedelmi és Szolgáltató Zártkörűen Működő Részvénytársaság është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, aktive në fushën e ofrimit të shërbimeve të telekomunikacionit. PR-TELECOM synon të ofrojë shërbime telekomunikacioni dhe zgjidhje inovative klientëve të saj në Hungari duke mos qenë e angazhuar në asnjë aktivitet biznesi në Shqipëri.
PR – WORK Korlátolt Felelősségű Társaság është filial i PR-TELECOM, e cila mbështet dhe lehtëson operacionet e PR-TELECOM. Kjo përfshin veçanërisht operimin e infrastrukturës IT dhe të rrjetit GPON.
PR-WORK nuk është aktive dhe nuk realizon xhiro në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.