Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr.716 datë 18.12.2023 “Njoftim përqendrimi dhe kërkesë për autorizim të përqendrimit”, ku jemi njoftuar se shoqëritë Statkraft UK Ltd dhe ILI Pump Storage Hydro P.L.C. kanë nënshkruar marrëveshjen për shitblerjen e kuotave të shoqërisë ILI (Highlands PSH) Limited.
Referuar marrëveshjes, palët pjesëmarrëse në transaksion janë:
Pala blerëse: Statkraft UK Ltd është një shoqëri private e kufizuar, e regjistruar sipas legjislacionit të Anglisë dhe Uellsit, me ortak të vetëm shoqërinë Statkraft AS.
Statkraft AS është një kompani hidroenergjitike, plotësisht në pronësi të shtetit norvegjez, shoqëria mëmë e Statkraft Group.
Grupi Statkraft është prezent në Shqipëri përmes dy filialeve të saj, Statkraft Renewables Albania SHPK dhe Devolli Hydropower SHA, të cilët operojnë në tregun e prodhimit të energjisë elektrike.
Pala shitëse: ILI Pump Storage Hydro P.L.C., është një shoqëri publike e kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Skocisë.
Shoqëria Target: ILI (Highlands PSH) Limited, është një shoqëri private e kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Skocisë, me objekt aktiviteti: në fushën e energjisë, energjisë së rinovueshme, ruajtja e energjisë elektrike dhe hidrocentralet me pompa. Shoqëria është e angazhuar ne zhvillimin e hidrocentraleve me pompë dhe magazinimin e energjisë elektrike.
Shoqëria ILI (Highlands PSH) Limited zotërohet 100% nga shoqëria ILI Pump Storage Hydro P.L.C.
Target nuk është prezent dhe nuk gjeneron xhiro në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.