Rasti: Përftimi i kontrollit të shoqërisë DELEPLANQUE ET COMPAGNIE nga shoqëria RAGT SEMENCES.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 575 prot. i AK, datë 30.08.2024 “Njoftim Përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit të shoqërisë DELEPLANQUE ET COMPAGNIE nga shoqëria RAGT SEMENCES.

Referuar marrëveshjes së depozituar, palët në transaksion janë:

Pala blerëse: RAGT SEMENCES është një shoqëri e thjeshtë me aksione, e themeluar sipas legjislacionit francez, e cila fokusohet në seleksionimin, prodhimin dhe marketingun e farërave në fushat kryesore të të korrave dhe të llojeve të gjësë së gjallë.

RAGT SEMENCES kontrollohet bashkërisht nga Grupi RAGT dhe Grupi InVivo.

RAGT SEMENCES, dhe shoqëritë që e kontrollojnë nuk kanë filial, degë ose zyrë përfaqësimi në Shqipëri. Grupi InVivo ka gjeneruar xhiro në Shqipëri përmes aktivitetit tregtar të farërave.

Pala shitëse: 17 shtetas francezë dhe 2 shoqëri, Financiere et Holding Deleplanque dhe Unigrains, të themeluara sipas legjislacionit francez.

Shoqëria Target: DELEPLANQUE ET COMPAGNIE është një shoqëri e thjeshtë me aksione, e themeluar sipas legjislacionit francez, e specializuar në shumimin, prodhimin dhe tregtimin e farërave të panxharit të sheqerit, si dhe të korrave të tjera si drithëra, farëra vajore dhe zarzavate.

DELEPLANQUE nuk ka asnjë filial të regjistruar në Shqipëri, por realizon xhiro përmes shpërndarjes së farërave nëpërmjet një agjenti, në territorin shqiptar.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.