Në kuadër të promovimit të mëtejshëm të kulturës së konkurrencës dhe forcimit të bashkëpunimit me botën akademike, në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, më datë 05.10.2022, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë (UMSH) dhe Autoritetit të Konkurrencës (AK).
Kjo Marrëveshje synon të përforcojë, promovojë dhe zhvillojë bashkëpunimin reciprok ndërmjet palëve mbi bazën e barazisë dhe përfitimit të përbashkët në çdo fushë të kësaj marrëveshjeje.
AK në kuadër të veprimtarisë së vet, do t’ju mundësojë studentëve të UMSH, kryerjen e praktikës profesionale të parashikuar në planin mësimor ndërkohë që, studentëve të programeve specifike Master, Doktoraturës si dhe stafit akademik të UMSH do t’ ju jepet mundësia të angazhohen në realizimin e studimeve të tregjeve të ndryshme, në funksion të hetimeve të përgjithshme që realizon AK.
Nga ana tjetër, ekspertë të AK do të kenë mundësinë të mbajnë në UMSH leksione për promovimin e institucionit të tyre dhe të veprimtarisë së tij si dhe për rritjen e njohurive në fushën e konkurrencës tek studentët e UMSH.
UMSH do të aplikojë tarifa preferenciale për anëtarët e stafit te AK të cilët do të ndjekin studimet në programet e studimit të UMSH, trajnimet apo aktivitetet kërkimore shkencore.
Palët do të realizonë veprimtari të përbashkëta kërkimore, promovuese dhe marketingu, me qëllim rritjen e cilësisë, imazhit të institucioneve respektive si dhe sensibilizimin e qytetarëve me projektet e përbashkëta të dy institucioneve.
Kjo marrëveshje do të ndikojë në përmbushjen e misionit që Autoriteti i Konkurrencës i ka vendosur vetes për promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës përmes intensifikimit të marrëdhënieve me botën akademike.