Në kuadër të promovimit të kulturës së konkurrencës me qëllim mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, dhe për të luftuar në mënyrë efektive marrëveshjet në oferta në procedurat e prokurimit publik, Autoriteti i Konkurrencës, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, zhvilloi sot, më datë 22 shtator, Workshop-in me temë “Për rritjen e kulturës së konkurrencës dhe forcimin e bashkëpunimit me biznesin në procedurat e prokurimit publik në kuptim të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës””. Në një bashkëbisedim interaktiv me pjesëmarrës nga komuniteti i biznesit në rrethin Berat, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Z. Denar Biba diskutoi mbi specifikat kryesore të legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës, nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet biznesit dhe AK në funksion të zbulimit dhe ndëshkimit të marrëveshjeve të ndaluara në prokurimin publik, si dhe rritjen e rolit proaktiv të ndërmarrjeve në garantimin e përpuethshmërisë me rregullat e konkurrencës.
Ky Workshop u përshëndet nga Z. Ervin Demo, Kryetari i Bashkisë Berat i cili në fjalën e saj vlerësoi rolin e Autoritetit të Konkurrencës në mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive për mirëfunksionimin e tregjeve në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës paraqitën në mënyrë të detajuar për të pranishmit, prezantime për “Marrëveshjet në oferta në proçedurat e prokurimit publik në kuptim të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, Programin e Përputhshmërisë me Rregullat e Konkurrencës dhe Programin e Lehtësimit nga Gjobat. Ky aktivitet shërbeu për rritjen e ndërgjegjësimit dhe advokimit të kuadrit ligjor për mbrojtjen e konkurrencës, veçanërisht në tregjet e prokurimit publik, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës me botën e biznesit, me synim minimizimin e praktikave antikonkurruese të fshehta në këto tregje dhe jo vetëm.