Njoftim për shtyp për pjesëmarrjen në takimin e Kryetarëve të Autoriteteve të Konkurrencës pjesë e Rrjetit OECD-GVH/RCC për Europën JugLindore me titull “Konkurrenca dhe Korrupsioni” dhe Forumit të 17-të Botëror të Konkurrencës, të organizuar nga OECD, Paris, në datat 28, 29 dhe 30 Nëntor 2018.
Në OECD, Paris, më datë 28 nëntor 2018, u zhvillua takimi i Kryetarëve të Autoriteteve të Konkurrencës pjesë e rrjetit OECD-GVH/RCC për Europën JugLindore me titull: “Konkurrenca dhe Korrupsioni”, në të cilin mori pjesë Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Znj. Juliana Latifi dhe Komisionere Znj. Leida Matja.
Në këtë takim u diskutua se si korrupsioni ndikon në punën e Autoriteteve të Konkurrencës, si shtrembërohen procedurat e tenderimit publik dhe shpesh gjendet në kombinim me marrëveshjet në oferta në prokurimin publik, duke e bërë edhe më të vështirë zbulimin e karteleve për agjencitë e konkurrencës. Kryetarët e Autoriteteve të Konkurrencës si Hungaria, Lituania dhe Ukraina, prezantuan përvojën e shteteve të tyre dhe masat e brendshme mbrojtëse të përdorura për të parandaluar korrupsionin. Përfaqësues të OECD paraqitën punën dhe mjetet e përdorura për parandalimin e korrupsionit në sektorin publik. Në përfundim të këtij takimi u prezantua edhe programi i trajnimeve të OECD-GVH/RCC për vitin 2019.
Gjithashtu në datat 29-30 nëntor 2018, në OECD, Paris, u zhvillua Forumi i 17-të Botëror i Konkurrencës, ku Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës paraqiti për herë të parë kontributin e eksperiencës së institucionit midis 27 shteteve pjesëmarrëse në këtë Forum, në dy seksione: Përfitimet dhe Sfidat e Marrëveshjeve të Bashkëpunimit Rajonal për Konkurrencën (Përmbledhjet e kontributeve) dhe Fuqitë Investigative në Praktikë (Përmbledhjet e kontributeve).
Në përfundim të Forumit OECD, do të përmbledhë në një inventar elektronik kontributet e shteteve të cilat do të qarkullohen ndërmjet vendeve anëtare dhe do të shërbejnë si praktikat më të mira për t’u konsultuar nga palë të ndryshme të interesit.