Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 21.06.2024, mori në shqyrtim hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Adastra SHPK dhe Colombo SHPK.
Nga vlerësimi i informacionit të paraqitur nga APP, mbi shkeljet e pretenduara të konkurrencës nga ndërmarrjet Adastra SHPK dhe Colombo SHPK, ngrihen dyshime të arsyeshme se ndërmarrjet Adastra SHPK dhe Colombo SHPK përdorin skemën e ofertës së mbuluar duke rënë dakord paraprakisht se cili prej tyre do të paraqesë ofertën më të lartë dhe cili ofertën fituese në procedurën e prokurimit ku ata janë pjesëmarrës, me qëllim kualifikimin e subjektit që ka ofertën më të ulët, duke krijuar përshtypjen e një oferte të pastër dhe një konkurrence të efektive.
Për sa më sipër, duke qënë se krijohen dyshime të arsyeshme se ndërmjet ndërmarrjeve pjesëmarrëse në procedurat e prokurimit me objekt “Shpenzime për material për funksionimin e pajisjeve të zyrës”, të zhvilluar nga Qendra e Personel Rekrutimit, ekzistojnë elementë të një sjelljeje antikonkurruese, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në kuptim të nenit 4, pika 1, të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”:
Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1089, datë 21.06.2024, vendosi për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Adastra SHPK dhe Colombo SHPK. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 01.01.2022 deri në 21.06.2024.
Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al