Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 14.06.2024, mori në shqyrtim relacionin e Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës “Për vendoje gjobe ndaj ndërmarrjes Arlis Administrim SHPK për refuzimin e pranimit të inspektimeve në mbështetje të vendimit të Komisionit të Konkurrencës”.
Gjatë inspektimit në ndërmarrjen Arlis Administrim SHPK, inspektorët e Sekretariatit autorizuar me shkrim nga Komisioni për kryerjen e inspektimeve, u refuzuan për dhënien e çdo lloj informacioni që lidhej me objektin dhe qëllimin e inspektimit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 36, germa (b), (c), (ç) dhe (d) e ligjit nr. 9121/2003.
Në zbatim të nenit 73, pika 1, germa (c) dhe (ç) të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, kur ndërmarrjet refuzojnë të pranojnë inspektimet në mbështetje të vendimit të marrë, ose refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve për faktet, ose pengojnë inspektimin, Komisioni vendos gjoba, në masën jo më shumë se 1 për qind të xhiros totale të vitit paraardhës financiar, mbi ndërmarrjet.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1087, datë 14.06.2024, vendosi Gjobitjen e ndërmarrjes Arlis Administrim SHPK për shkelje të lehtë të konkurrencës, konkretisht të nenit 73, germa (c) dhe (ç) të ligjit nr. 9121/2003 në masën 48,392 (dyzetë e tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e dy) Lekë.
Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al