Njoftim për shtyp

Sot në datë 05.06.2024, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë seancën dëgjimore mbi raportimin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023.

Në këtë dëgjesë, Autoriteti i Konkurrencës u përfaqësua nga: z. Denar Biba, Kryetar, znj. Leida Matja, zëvendëskryetare dhe nga znj. Rezana Konomi Perolla, z. Durim Kraja, Znj. Fatjola Delija, anëtarë të Komisionit të Konkurrencës.

Në fjalën e tij, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, z. Biba prezantoi një përmbledhje të raportit vjetor mbi veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës, duke u ndalur në arritjet më kryesore të vitit 2023, si dhe në zbatimin e rekomandimeve të përcaktuara në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Gjatë parashtrimit të fjalës së tij, z. Biba informoi Komisionin për Ekonominë dhe Financat se, gjatë vitit 2023, Komisioni i Konkurrencës ka marrë 93 vendime, kryer 15 monitorime dhe realizuar 8 procedura hetimore, në tregjet sensitive dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit. Gjatë vitit 2023, janë intesifikuar marrëdhëniet brenda dhe jashtë vendit me zhvillimin e 5 aktiviteteve: 1 (një) konferencë ndërkombëtare, 1 (një) takim me botën akademike në Tiranë dhe 3 (tre) workshop-e me komunitetin e biznesit. Në kuadër të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2023 – 2025, Autoriteti i Konkurrencës ka përmbushur 100% këtë plan, duke miratuar brenda afateve kohore të përcaktuara, 3 (tre) aktet nënligjore të parashikuara, në përputhje të plotë me legjislacionin evropian në fushën e konkurrencës.

Në funksionin e relatores, anëtarja e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, znj. Antoneta Dhima relatoi zbatueshmërinë e rekomandimeve të dhëna në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2022”, nr. 1094/2, datë 22.06.2023 duke propozuar dhe projekt rekomandimet përkatëse për vitin 2024.

Seanca vijoji me pyetje nga anëtaret e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, të cilave z. Biba dhe anëtarët e Komisionit të Konkurrencës ju përgjigjën duke sqaruar të pranishmit rreth procedurave hetimore, tregjeve të monitoruara dhe hapave të ndërmarra nga institucioni për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg

Nga ana e Kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat z. Eduard Shalsi u shpreh vlerësim për aktivitetin e Autoritetit të Konkurrencës duke theksuar në të njëjtën kohë nevojën për bashkëpunim më të mire ndër institucional.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.

Shkarko Njoftimin

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.