Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 06.06.2024, mori në shqyrtim raportin e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK dhe ndërmarrjes Auto Holiday Albania SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës (TIA)”.

Komisioni i Konkurrencës pasi shqyrtoi Raportin Hetimor të Sekretariatit, konstatoi se:

  • Tirana International Airport SHPK, ka zbatuar vendimin për masat e përkohshme duke rivendosur konkurrencën në tregun përkatës të produktit me heqjen e tabelës “Ndalohet taksi pa pasagjerë” dhe lejimin e aksesit të taksive të tjera. Gjatë procedurës hetimore administrative nuk u provua lidhja shkak pasojë, pra veprimi i TIA në vendosjen e tabelës dhe pasojave që kanë rrjedhur nga kjo sjellje.
  • Ka mospërputhje me tarifat e miratuara për shërbimin taksi për të saktësuar tregun gjeografik të shërbimit taksi nga/drejt aeroportit drejt/nga qyteti të Tiranës, pasi Auto Holiday Albania SHPK ndërkohë që është një ndërmarrje e licensuar nga Bashkia Krujë, perdor tarifat e miratuara nga Bashkia Tirane. Këto tarifa të cilat janë dhe të publikuara në faqen zyrtare të aeroportit TIA dhe të vetë AHA, janë fikse dhe jo në përputhje me bashkinë për të cilën është licensuar.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1083, datë 06.06.2024, vendosi:

  1. Të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK dhe Auto Holiday Albania SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtare, nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
  2. T’i rekomandojë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që, për shkak të rëndësisë që paraqet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), si dhe në kuadër të shtimit të numrit të aeroporteve të tjera ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, të rishikojë rregullimin e nenit 37 të Ligjit nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore” si dhe aktet e tjera nënligjore në bazë të tij, përsa i përket detyrimit të nisjes së mjeteve pa pasagjerë jashtë bashkisë së licencimit, posaçërisht në lidhje me aeroportet ndërkombëtare.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al

Shkarko Njoftimin

Ankese

    Ruani Privatësin
    PoJo

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.