Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 19.04.2024, mori në shqyrtim monitorimin e zbatimit të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 970, datë 24.03.2023, “Mbi vlerësimin ligjor të Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

Në përfundim të procedurës së monitorimit të tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, në zbatim të VKK nr. 970/2023, rezulton se, nga ana e subjekteve Autoshkolla është zbatuar pika I e VKK nr. 970/2023, duke mos aplikuar rritjen e tarifave sipas Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, e cila është vlerësuar si një akt marrëveshje në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr.1071, datë 19.04.2024, vendosi mbylljen e procedurës së monitorimit të zbatimit të VKK nr. nr. 970, datë 24.03.2023, “Mbi vlerësimin ligjor të Akt Marrëveshjes nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim projekt-vendimin e Komisionit Kombëtar Rregullator (KKRR) i cili informon Autoritetin e Konkurrencës se ka filluar procedurën për shqyrtimin e aplikimit për ndryshim tarife të ndërmarrjes rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier SHA, e cila ka propozuar me anë të projekt-vendimit, të aplikojë vendosjen e nivelit të ri të tarifave të shërbimit për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin e ujërave të ndotura për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimit, në të gjithë zonën e shërbimit pas themelimit të ndërmarrjes rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier SHA më datë 08.09.2022, bazuar në VKM nr. 302, datë 11.05.2022 “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”.

Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i informacionit mbi aplikimin për ndryshimin e nivelit tarifor si dhe projekt-vendimit përkatës “Mbi miratimin e tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura për ndërmarrjen rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier SHA”, Komisioni i Konkurrencës vendosi me Vendimin nr. 1072, datë 19.04.2024, t’i rekomandojë Entit Rregullator të Ujit si vijon:

  1. Tarifat e ndryshuara, që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve dhe të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit.
  2. Miratimi i ndryshimit të tarifave, të marra në shqyrtim nga KKRR, të jetë i publikuar në faqen zyrtare elektronike të ERRU-së.
  3. Të bëhen transparente në faqen zyrtare të Bashkisë Fier, Roskovec dhe Mallakastër, si edhe në ndërmarrjen rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier SHA seancat e zhvilluara të dëgjesës publike më palët e interesit për propozimin e ndryshimit të tarifave.

Komisioni i Konkurrencës mori gjithashtu në shqyrtim përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërive Neoen Renewables Croatia d.o.o. dhe Fazan Sol d.o.o. nga shoqëria STATKRAFT OIE d.o.o.

Përqendrimi nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë ndryshim dhe nuk do të ketë ndikim në tregun shqiptar.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr.1073, datë 19.04.2024, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërive Neoen Renewables Croatia d.o.o. dhe Fazan Sol d.o.o. nga shoqëria STATKRAFT OIE d.o.o.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.

Shkarko Njoftimin

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.