Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, bazuar në legjislacionin për konkurrencën në fuqi, ka autorizuar me Vendimin nr.855, datë 14.1.2022, përqendrimin e realizuar nga përftimi i kontrollit nëpërmjet blerjes së 80.27% të aksioneve të shoqërisë Albtelecom SHA nga shoqëria 4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag.

Albtelecom SHA, është një shoqëri aksionare e regjistruar sipas legjislacionit shqiptar me objekt aktiviteti shërbimet e komunikimeve elektronike në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku përfshihen por pa u kufizuar, shërbime të tilla si: shërbimi publik i telefonisë tokësore të lëvizshme, transmetimi i të dhënave, etj.

4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag (4iG Nyrt) është një shoqëri aksionare/ publike e kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, me objekt veprimtarie prodhimin e kompjuterave dhe pajisje periferike, prodhim i makinerive dhe pajisjeve të zyrës (përveç kompjuterëve dhe pajisjeve periferike), montimi i makinerive dhe pajisjeve industriale, organizimi i projektit të ndërtimit të objekteve, përgatitja e sipërfaqes së ndërtimit, shërbimet e tregtisë me shumicë të kompjuterëve, njësive periferike dhe programeve kompjuterike, tregti me shumicë jo e specializuar, shërbimet e tregtisë me pakicë të kompjuterave, njësive periferike dhe programeve kompjuterike, etj.

Bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni vlerësoi se transaksioni i propozuar, nuk ngre shqetësim për konkurrencën në lidhje me tregun me shumicë për shërbimet e terminimit të thirrjeve ku çdo operator celular apo fiks zotëron 100% të rrjetit të tij individual pasi nuk ka zëvendësues për terminimin e thirrjeve në secilin rrjet individual, dhe për rrjedhojë pozicioni i Albtelecom SHA do të mbetet i njëjtë në tregun e terminimit të thirrjeve me shumicë.

Gjithashtu, lidhur me tregun e shërbimit të telefonisë celulare me pakicë dhe tregun e shërbimit të paketave të integruara, bazuar në vlerësimin e marrëveshjes mes shoqërive 4iG Nyrt dhe Albtelecom SHA, u konstatua se pas përqendrimit, operatori Albtelecom SHA nuk do të krijojë apo forcojë pozitën dominuese, duke qenë se shoqëria blerëse 4iG Nyrt nuk operon në këtë treg dhe si rrjedhim nuk do të ketë ndryshim të pjesëve takuese dhe strukturës së tregut pas transaksionit.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nga përftimi i kontrollit nëpërmjet blerjes së 80.27% të aksioneve të shoqërisë Albtelecom SHA nga shoqëria 4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag.

Për më shumë shikoni Vendimin nr. 855, datë 14.01.2022 në https://caa.gov.al/

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.