Rasti:Përftimi i kontrollit të shoqërisë Valamar Tale 2 SHPK nga shoqëria Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK.

Autoriteti i Konkurrencës, me shkresën nr. 388 prot. i AK datë 21.04.2026 “Njoftim paraprak mbi përqendrimin me përftim kontrolli në zbatim të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, është njoftuar në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë Valamar Tale 2 SHPK nga shoqëria Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala blerëse: Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar. Shoqëria ka për objekt aktiviteti: (i) investimi në instrument financiar (të cilët përfshijnë pa kufizime titujt e pjesëmarrjes në kapitalin e shoqërive tregtare, titujt e borxhit, aksionet ose kuotat në fonde investimesh etj), investimin në pasuri të paluajtshme dhe në asete (të prekshme apo të paprekshme), si dhe (ii) ofrimi i shërbimeve të konsulencës për shoqëritë e kontrolluara prej saj dhe/ose nga të tretë (të cilët përfshijnë pa kufizime konsulencën e natyrës financiare, manaxheriale, ligjore, IT, zhvillim softuares etj), në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, etj.

Pala Shitëse: Kupa SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar dhe me objekt aktiviteti: kryerjen e punimeve të ndryshme ndërtimore, objekte social kulturore e banimi, projektimin dhe zbatimin e tyre, rrugë, kanalizime, ura e vepra arti, prodhimin për përdorimin e shitjen e materialeve inerte, hapjen e linjave të inerteve, rikonstruksione të çdo lloji. Punime ndërtimi banesa dhe shërbimi në ekonomi. Tregtim me pakicë e shumicë, import, eksport të materialeve elektrike, hidraulike, dhe ndërtimi, etj.

Target: Valamar Tale 2 SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar dhe me objekt parësor veprimtarie kryerjen e aktiviteteve të listuar më poshtë: a) zhvillimin, projektimin dhe ndërtimin e objekteve civile dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve të kësaj natyre për vete dhe për të tretë; b) shitja e objekteve/njësive të ndërtuara si investitor dhe/ose dhënia e tyre me qira; c) veprimtari ekonomike në fushën e turizmit, nëpërmjet ngritjes, operimit dhe administrimit të strukturave turistike pritëse (akomoduese) dhe të gjitha shërbimet direkt dhe indirekt të lidhura me to, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar; d) shfrytëzimin e zonave malore apo bregdetare/plazheve për qëllime turistike, duke administruar, dhënë me qira, ndërtuar objekte rekreative dhe duke ofruar shërbime në fushën e turizmit, argëtimit, bar, restorante në zona turistike etj.; e) administrimi i bashkëpronësisë në ndërtesa, në resorte apo struktura turistike dhe në komplekse rezidenciale; f) ofrimi i shërbimit  të konsulencës në fushën e biznesit, menaxhimit, taksave etj; g) shoqëria mund të kryejë çdo veprim apo operacion tjetër që ka të bëjë me pronën e paluajtshme, të luajtshme, çdo veprim apo operacion tjetër komercial, industrial e financiar, të dobishëm apo plotësues ndaj përmbushjes së objektit të Shoqërisë, me kusht që aktivitetet e mësipërme të mos jenë në kundërshtim dhe mos alternojnë objektin parësor të veprimtarisë së shoqërisë.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

Please enable JavaScript in your browser to complete this form.
Click or drag files to this area to upload. You can upload up to 3 files.
Njoftim mbi përpunimin e të dhënave personale

Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë, në përputhje me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Të dhënat do të përdoren vetëm për qëllimin e trajtimit të ankesës suaj dhe nuk do t’u transmetohen palëve të treta, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Skip to content