Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 56 prot., i AK, datë 19.01.2026, “Kërkese për konsultim ”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi blerjen e 49% të kapitalit të shoqërisë OT LOGISTICS SPÓŁKA AKCYJNA nga shoqëritë Auctor Holding, a.s. dhe SPV Second a.s.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: DD Rail Properties a.s. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Republikës Çeke, i cili kontrollohet në mënyrë të përbashkët nga Auctor Holding, a.s. ( përmes Auctor Alfa, a.s.) dhe SPV Second a.s. DD Rail Properties është një shoqëri me qëllim të veçantë (SPV) aktive në menaxhimin e pronës, qiradhënie e pasurive të paluajtshme, apartamenteve dhe hapsirave komerciale.
Auctor Holding, a.s. është një shoqëri kryesisht aktive në shërbimet e hotelerisë dhe industrisë së kujdesit shëndetësor, e cila nuk është prezent dhe nuk gjeneron të ardhura në Shqipëri.
SPV Second a.s. ka si objekt veprimtarie menaxhimin e pronës, qiraja e pasurive të paluajtshme, apartamenteve dhe ambienteve jo-rezidenciale dhe realizon të ardhura në Shqipëri nga shoqëritë e grupit.
Shitësit: Cres Fundacja Rodzinna, Marsel Fundacja Rodzinna dhe Neuvic Fundacja Rodzinna, fondacione familjar që ekzistojnë në bazë të ligjeve të Republikës së Polonisë.
Target: OT LOGISTICS SPÓŁKA AKCYJNA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Polonisë, me objekt aktiviteti: nxjerrja e zhavorrit, rërës, argjilës dhe kaolinit; veprimtaria mbështetëse për minierat dhe nxjerrjen e mineraleve; prodhimi i produkteve të formuara në të ftohtë; prodhimi i strukturave metalike dhe pjesëve të tyre; prodhimi i anijeve civile dhe strukturave lundruese; prodhimi i anijeve turistike dhe sportive etj.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
