Tiranë, 4 nëntor 2026 – Autoriteti i Konkurrencës dhe institucionet partnere gjermane konfirmuan vijimin e bashkëpunimit për vitin 2027, në mbështetje të forcimit të kapaciteteve të Autoritetit dhe përmirësimit të zbatimit të legjislacionit të konkurrencës në Shqipëri.
Ky event i rëndësishëm u zhvillua sot më 4 nëntor 2026, në Tiranë, me praninë e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, z. Denar Biba, dhe Zëvendësambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, znj. Marja Freudenberg.
Zgjatja e partneritetit edhe për vitin 2027 përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman në fushën e konkurrencës, duke siguruar vijimësinë e mbështetjes dhe shkëmbimit të ekspertizës për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe analitike, përmirësimin e cilësisë së vendimmarrjes, dhe zgjerimin e dialogut me komunitetin e biznesit.
Partneriteti zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë Federale Gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin për Klimën dhe Autoritetin Federal Gjerman të Konkurrencës (Bundeskartellamt), me mbështetjen e GIZ-it, në funksion të forcimit institucional dhe përafrimit me standardet evropiane të konkurrencës.
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, z. Denar Biba, shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve gjermanë, duke theksuar rëndësinë që ky bashkëpunim ka për Autoritetin e Konkurrencës.
Zgjatja e partneritetit u realizua në kuadër të aktivitetit të advokacisë “Ligji për mbrojtjen e konkurrencës dhe bizneset – Përfitimet e konkurrencës për bizneset”, organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës në bashkëpunim me Bundeskartellamt-in dhe me mbështetjen e GIZ-it.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të dhomave të tregtisë vendase dhe ndërkombëtare, studiove ligjore dhe botës akademike, të cilët diskutuan me ekspertë shqiptarë dhe gjermanë mbi rëndësinë e konkurrencës dhe zbatimin e rregullave të saj.
Autoriteti i Konkurrencës mbetet i angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin e biznesit, në funksion të promovimit të konkurrencës së lirë dhe efektive, mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe integrimit evropian të Shqipërisë.


