Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 753 prot. i AK datë 03.09.2026 “Njoftim paraprak mbi përqendrimin me përftim kontrolli në zbatim të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë I2I – 145 Aircraft Maintenance SHPK nga shoqëria Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt veprimtarie: (i) investimi në instrumenta financiarë (të cilët përfshijnë pa kufizime titujt e pjesëmarrjes në kapitalin e shoqërive tregtare, titujt e borxhit, aksionet ose kuotat në fonde investimesh, etj.), investimi në pasuri të paluajtshme dhe në asete (të prekshme apo të paprekshme), si dhe (ii) ofrimi i shërbimeve të konsulencës për shoqëritë e kontrolluara prej saj dhe/ose të tretë (të cilët përfshijnë pa kufizime konsulencën e natyrës financiare, manaxheriale, ligjore, IT, zhvillim software, etj.).
Pala shitëse: I2I – 145 d.o.o është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Republikës së Sllovenisë, aktive në: prodhimin e mjeteve fluturuese ajrore dhe hapësinore; riparim i makinerive dhe aparateve; riparim i aparateve elektronbike dhe optike; riparimi dhe mirëmbajtja e mjeteve fluturuese ajrore dhe hapsionore etj.
Shoqëria target: I2I – 145 Aircraft Maintenance SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar , aktive në ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes së avionëve dhe komponentëve të tyre. Kjo përfshin gjithashtu shërbime të lidhura me asistencën tokësore, modifikimet, inspektimet dhe riparimet e avionëve në përputhje me licencat përkatëse dhe legjislacionin e zbatueshëm.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
