Rasti: Krijimi i shoqërisë Just Fun Balkans SHPK nëpërmjet kontrollit të përbashkët nga shoqëritë Balfin B.V. dhe PIAZ INVESTMENT DOO Skopje dhe krijimi i shoqërisë Just Fun Distribution SHPK nëpërmjet kontrollit të përbashkët nga shoqëritë Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK dhe PIAZ INVESTMENT DOO Skopje.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 666 prot. i AK, datë 15.07.2025 “Njoftim për Përqendrimin që konsiston në krijimin e dy shoqërive të reja lidhur me zgjerimin e markës ndërkombëtare “Flying Tiger Copenhagen” në Shqipëri”, ku jemi njoftuar lidhur me transaksionin mbi krijimin e shoqërisë Just Fun Balkans SHPK, nëpërmjet kontrollit të përbashkët nga shoqëritë Balfin B.V. dhe PIAZ INVESTMENT DOO Skopje dhe të shoqërisë Just Fun Distribution SHPK nëpërmjet kontrollit të përbashkët nga shoqëritë Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK dhe PIAZ INVESTMENT DOO Skopje.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në këtë transaksion janë:

Pala 1: Balfin B.V. është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës. Shoqëria vepron si një holding financiar dhe veprimtaria e saj kryesore konsiston në zotërimin dhe administrimin e pjesëmarrjeve në shoqëri të tjera. Balfin B.V. mban pjesëmarrje në një sërë shoqërish të regjistruara në Holandë dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në disa raste kontribuon në kapitalin e këtyre shoqërive për të mbështetur zhvillimin e tyre. Fusha kryesore e veprimtarisë së këtyre shoqërive bija është sektori i pasurive të paluajtshme.

Balfin B.V. zotërohet 100% nga Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK.

Pala 2: Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: (i) investimi në instrument financiar (të cilët përfshijnë pa kufizime titujt e pjesëmarrjes në kapitalin e shoqërive tregtare, titujt e borxhit, aksionet ose kuotat në fonde investimesh etj), investimin në pasuri të paluajtshme dhe në asete (të prekshme apo të paprekshme), si dhe (ii) ofrimi i shërbimeve të konsulencës për shoqëritë e kontrolluara prej saj dhe/ose nga të tretë (të cilët përfshijnë pa kufizime konsulencën e natyrës financiare, manaxheriale, ligjore, IT, zhvillim softuares etj), në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, etj.

Aksionar i kësaj shoqërie është Z. Samir Mane me 100% të kuotave.

Pala 3: PIAZ INVESTMENT DOO Skopje është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut, e cila ushtron aktivitetin në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe jo-rezidenciale.Veprimtaria kryesore e shoqërisë përqendrohet në zhvillimin e projekteve ndërtimore dhe të pasurive të paluajtshme në territorin e Maqedonisë së Veriut.

PIAZ INVESTMENT DOO Skopje zotërohet 50% nga Z. Ilir Papraniku dhe 50% nga Z. Arsim Papraniku.

Pala 4: Juljan Mane, shtetas shqiptar.

Pala 5: Steven Grunerud, shtetas i huaj.

Ndërmarrja e përbashkët 1: Just Fun Balkans SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: tregtia me shumicë dhe pakicë, importi dhe eksporti, shpërndarja, marketingu dhe shitja e mallrave të konsumit të përditshëm, por pa u kufizuar në artikuj dekorativë për shtëpi, kancelari, lodra, enë kuzhine, produkte sezonale dhe të stilit të jetesës, si dhe organizimi dhe operimi i dyqaneve me marrëveshje franchise. Ky objekt përfshin të gjitha aktivitetet e dizajnit, promovimit, logjistikës dhe operimit që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me zhvillimin dhe menaxhimin e këtyre dyqaneve dhe platformave online, si dhe ushtrimi i të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me ose plotësojnë, direkt ose indirekt aktivitetin e mësipërm.

Ndërmarrja e përbashkët 2: Just Fun Distribution SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: tregtia me shumicë dhe pakicë, importi dhe eksporti, shpërndarja, marketingu dhe shitja e mallrave të konsumit të përditshëm, por pa u kufizuar në artikuj dekorativë për shtëpi, kancelari, lodra, enë kuzhine, produkte sezonale dhe të stilit të jetesës, si dhe organizimi dhe operimi i dyqaneve me marrëveshje franchise. Ky objekt përfshin të gjitha aktivitetet e dizajnit, promovimit, logjistikës dhe operimit që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me zhvillimin dhe menaxhimin e këtyre dyqaneve dhe platformave online, si dhe ushtrimi i të gjitha aktiviteteve që kanë të bëjnë me ose plotësojnë, direkt ose indirekt aktivitetin e mësipërm.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.