Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 565 prot. i AK, datë 26.08.2024 “Depozitim i njoftimit të përqendrimit”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të Biznesit të Transferuar nga shitësit tek shoqëria blerëse DIGI Távközlési és Szolgáltató Korlátolt Felelősségű Társaság.
Referuar dokumenteve të depozituara, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: DIGI Távközlési és Szolgáltató Korlátolt Felelősségű Társaság është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, e angazhuar në tregun e telekomunikacioneve, duke operuar kryesisht në tregun e aktiviteteve të telekomunikacioneve të kabllit.
DIGI nuk operon dhe nuk realizon të ardhura në Shqipëri, por zotërohet nga Antenna Hungária Zrt. i cili është prezent indirekt në Shqipëri përmes ONE ALBANIA SHA.
Pala shitëse:
Shitësi 1: Canal + Luxembourg S.à r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Luksemburgut, me objekt aktiviteti: përfitimi i pjesëmarrjeve, në çdo formë të tyre, si në Luksemburg ashtu edhe jashtë tij, në të gjitha shoqëritë ose ndërmarrjet e çdo forme, si dhe mbajtja, administrimi, menaxhimi, kontrolli, zhvillimi ose shitja e këtyre pjesëmarrjeve, në tërësi ose pjesërisht, te palët të cilat Shoqëria i konsideron të denjë dhe veçanërisht në këmbim të aksioneve ose titujve në çdo shoqëri ose pale që i fiton ato etj.
Canal + Luxembourg S.à r.l. zotëron dy filialet, Eviso Magyarország Korlátolt Felelösségü Társaság dhe Canal+ Distribution Hungary Korlátolt Felelösségü Társaság, të cilat janë palë në marrëveshje të cilësuar më poshtë si Shitësi 2 dhe Shitësi 3.
Shitësi 2: Eviso Magyarország Korlátolt Felelősségű Társaság është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, me objekt aktiviteti: agjensi reklamimi; shitja me pakicë e kompjuterëve, pjesëve periferikë dhe softuerit në dyqane të specializuara; shitja me pakicë e pajisjeve audio dhe video; aktivitete prodhimi e filmave, videove dhe programeve televizive; aktivitete të shpërndarjes së filmave, videove dhe programeve televizive etj.
Shitësi 3: Canal+ Distribution Hungary Korlátolt Felelősségű Társaság është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Hungarisë, me objekt: aktivitete telekomunikacioni me kabllo; riprodhim i medias së regjistruar; publikim i revistave dhe periodikeve; aktivitete të konsulencës kompjuterike; shitja me shumicë dhe pakicë e pajisjeve dhe pjesëve elektronike dhe të telekomunikacionit etj.
Shitësit nuk operojnë dhe nuk gjenerojnë të ardhura në Shqipëri.
Target:
Biznesi që do të transferohet e cila përfshin:
- Marrëveshjet e abonentëve DTH që zotëron Shitësi 1;
- Marrëveshjet për Shërbimet e Marketingut Intragrup që zotëron Shitësi 2;
- Punonjësit e Transferueshëm që zotëron Shitësi 2.
- Si element opsional, Marrëveshjet e Abonentëve të Kabllos dhe Marrëveshjet e Qirasë së Kabllos që zotëron Shitësi 3.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.