Rasti: Përftimi i kontrollit të shoqërisë Banca Comercială “ENERGBANK” S.A. nga shoqëria AS IuteCredit Europe.
Pranë Autoritetit të Konkurrencës është njoftuar transaksioni i kryer nëpërmjet disa blerjeve të njëpasnjëshme të aksioneve të shoqërisë së synuar Banca Comercială “ENERGBANK” S.A. në bursën Moldave, nga shoqëria AS IuteCredit Europe.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët janë:
Pala blerëse: AS IuteCredit Europe është një shoqëri holding e grupit të shoqërive IuteCredit, i cili ofron kredi konsumatore dhe shërbime personale financimi nëpërmjet shoqërive të kontrolluara 100% nga grupi në Moldavi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Bonje dhe Hercegovinë.
AS IuteCredit Europe është përgjegjëse për menaxhimin strategjik të Grupit IuteCredit.
AS IuteCredit Europe operon në Shqipëri nëpërmjet dy shoqërive të kontrolluara 100% prej saj: IuteCredit Albania SHA dhe Velox Pay SHPK.
Pala shitëse: Aksionarët e shoqërisë Banca Comercială “ENERGBANK” S.A. që ndahen në: Grupi i aksioneve të thesarit; grupi i aksioneve ankand; grupi i aksioneve të bllokuara; entitete ligjore dhe persona fizikë.
Target: Banca Comercială “ENERGBANK” S.A. / B.C “ENERGBANK” S.A. është një shoqëri aksionare, e themeluar në përputhje me legjislacionin e Moldavisë dhe aktive në tregun financiar, e cila ofron shërbime bankare për konsumatorët dhe për shoqëritë tregtare si: shërbime kredie, këmbim valutor, online-banking dhe pagesa me karta bankare etj.
B.C “ENERGBANK” S.A. nuk është prezente dhe nuk realizon të ardhura në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me fax (Nr. 0355 4 2234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
Njoftim_per_shtyp_AS_IuteCredit_Europe-_Banca_Comerciala_ENERGBANK_S.A.