Në kuadër të promovimit të mëtejshëm të kulturës së konkurrencës, në datën 19.05.2022, në ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, u zhvillua leksioni i hapur me temë “Zbatimi i Ligjit Nr. 9121 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, datë 28.07.2003 dhe rregullimi i tregut” me pjesëmarrjen e Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, Z. Denar Biba, përfaqësuses të AK, profesorë dhe studentë të programit master në fushën e drejtësisë dhe ekonomisë.
Në këtë takim u bë prezantimi i Ligjit Nr. 9121/2003 nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, me qëllim sigurimin e njohurive të nevojshme në fushën e ligjit të konkurrencës. Gjithashtu, u prezantua rasti i përqëndrimit nëpërmjet përfitimit të kontrollit të shoqërisë Albania Telecom Invest AD nga shoqëria 4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag në tregun e komunikimeve elektronike, si dhe rasti i abuzimit me pozitën dominuese të shoqërisë SGS Automotive Albania SHPK në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë, nga përfaqësues të AK. Gjatë takimit kishte diskutime dhe pyetje të ndryshme nga auditori të cilat morën përgjigje nga Kryetari z. Biba dhe përfaqësuesit e tjerë të Autoritetit të Konkurrencës.
Këto leksione dhe takime informative/edukuese do të vijojnë të organizohen nga Autoriteti i Konkurrencës jo vetëm në kuadër të sugjerimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021”, por edhe si mision që autoriteti i ka vendosur vetes për promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës përmes intensifikimit të marrëdhënieve me botën akademike për çështjet e rregullimit të tregut.