Pranë Autoritetit të Konkurrencës janë depozituar shkresat nr. 356 prot., i AK datë 09.04.2026 “Njoftim” dhe nr. 356/1 datë 27.04.2026 “Mbi Njoftimin e Përqendrimit për përftimin kontrolli të shoqërisë ENSO HYDRO ERERGJI SHPK nga shoqëria ALBSTEEL PCP SHPK dhe paraqitjen e dokumentacionit të kërkuar sipas akteve ligjore dhe nënligjore”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e shitjes së kuotave të shoqërisë ENSO HYDRO ENERGJI SHPK tek shoqëria ALBASTEEL PCP SHPK.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: ALBASTEEL PCP SHPK është një shoqëri shqiptare, me objekt aktiviteti: projektim, prodhim, zbatim dhe rikonstruksion të godinave industriale dhe civile, urave me konstruksion metalik, mbikalime për kalimtarë dhe hekurudhore, ujësjellësa, gazsjellësa, vajsjellësa, vepra kullimi e vaditje, ndërtime hidroteknike, sisteme hidraulike dhe impiante për bonifikime, struktura metalike për tunele, sillosa metalike, kulla uji metalike etj.
Pala shitëse: enso HYDRO GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në Regjistrin Tregtar Austriak, me seli dhe adresë biznesi Raaaba-Grambach, Austri.
Shitësi është zotërues i vetëm i kapitalit të shoqërisë ENSO HYDRO ERERGJI SHPK.
Shoqëria target: ENSO HYDRO ENERGJI SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shqiptar, dhe me objekt aktiviteti: zhvillim, ndërtim, operim, blerja dhe shitja e hidrocentraleve, prodhimi i energjisë elektrike dhe shitja e energjisë elektrike tek konsumatorët ose tregtarët e shitjes me shumicë. Gjithashtu, kjo shoqëri mund të hyjë në çdo transaksion që ajo e gjykon të nevojshëm ose të përshtatshëm me qëllim përmbushjen e objektit të veprimtarisë së saj.
Shoqëria shërben si një Shoqëria Holding, e cila zotëron 100% shoqëritë koncesionare MATI HYDROPOWER SHPK dhe LENGARICA & ENERGY SHPK.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
