Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 543 prot. i AK, datë 09.08.2024 “Përqendrimi me krijimin e një sipërmarrje të përbashkët, të krijuar prej KONČAR – Elektroindustrija d.d. dhe Siemens Energy Holding B.V. – Njoftim në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota nga shoqëritë KONČAR – Elektroindustrija d.d. za proizvodnju i usluge dhe Siemens Energy Holding B.V.
Referuar dokumenteve të depozituara, palët në transaksion janë:
Pala 1: KONČAR – Electrical Industri Inc.[1] është një shoqëri aksionare, e organizuar dhe ekzistuese sipas ligjeve të Kroacisë, e cila shërben si shoqëria mëmë e Grupit KONČAR. Grupi KONČAR operon në fushën e sektorit të energjisë, mjeteve hekurudhore dhe infrastrukturës, me një fokus të madh në teknologjitë e gjelbra dhe digjitale, si dhe zhvillimin dhe inovacionin e brendshëm.
Në Shqipëri Grupi KONČAR është aktiv përmes dy degëve:
- KONČAR – Electrical Industry Inc. for manufacturing and services – degë e shoqërisë së huaj, me objekt aktiviteti; Veprimtari e arkitekturës, inxhinierisë dhe këshillave teknike. Aktivitete me kompjuter dhe të ngjashme. Prodhimi i pajimeve të tjera elektrike. Prodhimi i kompjuterëve dhe pajimeve të tjera për përpilimin e shënimeve. Ndërtimi, projektimi dhe mbikëqyrja në ndërtim. Punët në instalime. Tregtia me automjete dhe riparim i automjeteve. Tregtia me pakice në shitoret e jo specializuara, shitja e prodhimeve jetësore, etj.
- DALEKOVOD D.D – Degë e shoqërisë së huaj, me objekt aktiviteti: Projektimi, prodhimi, inxhinieria dhe ndërtimi i linjave të transmetimit të tensionit të lartë deri në 1000 KV, nënstacionet dhe impiante të ndërrueshme deri në 500 KV, strukturat e çelikut dhe metaleve antenat dhe shtyllat e rrufepritëseve, shtyllat e autostradës dhe të rrugës, armaturat për linjat e transmetimit të tensionit të lartë mbi tokë, kabllot nëntokësore deri në 220 KV, elektrifikimi i hekurudhave.
Pala 2: Siemens Energy Holding B.V është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të Holandës, e cila operon si pjesë e grupit Siemens Energy. Grupi Siemens Energy ka selinë në Gjermani dhe operon në katër fusha kryesore të biznesit: shërbimet për gazin, teknologjitë e rrjetit (grid technologies), transformimin e industrisë dhe energji të rinovueshme, nëpërmjet Siemens Gamesa Renewable Energy.
Grupi Siemens Energy është aktiv në sektorin e energjisë duke ofruar produkte dhe shërbime në teknologjitë e energjisë tradicionale dhe të rinovueshme, teknologjinë e rrjetit, ruajtjen e energjisë dhe zgjidhjet për elektrifikimin e proceseve industriale.
Grupi Siemens Energy nuk ka filiale të regjistruara në Shqipëri.
Ndërmarrja e përbashkët (SP), KONČAR – Transformer tanks Ltd. është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar më datë 09.10.2023, sipas legjislacionit të Kroacisë e regjistruar në Regjistrin e Gjykatës Tregtare në Zagreb, me objekt aktiviteti kryesor: – prodhim konstruksionesh metalike dhe pjesëve të tyre.
Sipërmarrja e përbashkët do të jetë me funksione të plota, e cila do të operojë në prodhimin dhe shitjen e tankeve (mbajtësve/kontenierëve) për transformatorë.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
[1] Emërtesa ligjore në gjuhën kroate është KONČAR – Elektroindustrija d.d za proizvodnju i usluge