Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 808 prot. i AK, datë 10.12.2024 “Njoftimi i Përqendrimit ndërmjet Dr. Ing.h.c.F. Porche Aktiengesellschaft / Franchised motor dealership business of Stratstone Specialist Cars Ltd.”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të vetëm indirekt nga shoqëria Dr. Ing.h.c.F. Porche Aktiengesellschaft mbi biznesin dhe asetet që përfshijnë bizneset franchised të tregtimit të motorëve të drejtuara nga STRATSTONE SPECIALIST CARS LTD.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: PORSCHE RETAIL GROUP LIMITED është një filial në pronësi të plotë të PORSCHE CARS GREAT BRITAIN LTD., zotërues i pesë qendrave të shitjes me pakicë i makinave Porsche.
PORSCHE CARS GREAT BRITAIN LTD. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar, importues i vetëm i makinave motorike Porsche dhe pjesëve rezervë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë me përgjegjësi për shpërndarjen, marketingun dhe mbështetjen e shitjeve.
PCGB zotërohet indirekt nga Dr. Ing. h.c. F. Porsche Aktiengesellschaft, një filial i zotëruar në mënyrë indirekte nga Volkswagen Aktiengesellschaft, kompania mëmë e Volkswagen Group.
Grupi Volkswagen operon në Shqipëri përmes shoqërive të zotëruar indirekt prej tij, Porsche Albania SHPK dhe Porsche Leasing SHPK.
Pala shitëse: STRATSTONE SPECIALIST CARS LIMITED është një shoqëri private e kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Anglisë dhe Wellsit, me objekt aktiviteti shitjen e makinave të reja dhe mjeteve motorike të lehta.
Target: Biznesi dhe Asetet e Porsche Center East London dhe Porsche Center South London.
PC South London dhe PC East London janë aktualisht qendra të pavarura të shitjeve (franchise) të Porsche që ushtrojnë aktivitetin në: shpërndarjen dhe shitjen me pakicë të të gjitha llojeve të makinave Porsche të reja dhe të përdorura; ofrimin e shërbimeve të riparimit dhe mirëmbajtjes së lehtë për të gjitha llojet e makinave Porsche; shpërndarjen me pakicë të pjesëve rezervë OE Porsche veçanërisht për makinat Porsche Classic.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.