Rasti: Përftimi i kontrollit të shoqërisë ORBICO UKRAINE nga shoqëria PRIVATE JOINT – STOCK COMPANY SAV ORBICO.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 861 prot. i AK, datë 26.12.2024 “Njoftim Përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të shoqërisë ORBICO UKRAINE nga shoqëria PRIVATE JOINT – STOCK COMPANY SAV ORBICO.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Blerësi: PRIVATE JOINT – STOCK COMPANY SAV ORBICO është një shoqëri private aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Ukrainës, me objekt aktiviteti: tregti me shumicë jo e specializuar; tregtimi dhe mirëmbajtja e makinave dhe mjeteve motorike të pasagjerëve; aktivitetet ndërmjetësuese në tregtinë e ushqimeve, pijeve dhe produkteve të duhanit; tregti me shumicë e pijeve, sheqerit, cokollatës dhe ëmbëlsirave; tregti me shumicë e kafesë, cajit, kakaos dhe erëzave etj.

SAV ORBICO kontrollohet nga Orbico d.o.o. dhe Asnova Holding.

Shitësi: Orbico d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar më datë 02.06.1998, sipas legjislacionit të Kroacisë, me objekt aktiviteti: blerja dhe shitja e mallrave, kryerja e ndërmjetësimit tregtar në tregun e brendshëm dhe të huaj, përfaqësimi i kompanive të huaja, transporti rrugor i mallrave, transporti i mallrave në trafikun ndërkombëtar, reklamim, tregtia me shumicë e produkteve mjekësore, prodhimi i produkteve të kremrave, prodhimi dhe shpërndarja e gazit, biznesi i pasurive të paluajtshme, etj.

Orbico d.o.o. është prezent në Shqipëri nëpërmjet filialit të tij ORBICO SHPK e cila operon kryesisht në tregun e produkteve të konsumit të shpejtë (FMCG ) dhe tregun e bukurisë, duke u fokusuar në produkte kozmetike të cilësisë së lartë, parfume dhe produkte make-up.

Target: ORBICO UKRAINE është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Ukrainës, e cila ka si objekt kryesor të aktivitetit të saj shitjen me shumicë të parfumeve dhe produkteve kozmetike. ORBICO UKRAINE e operon biznesin e saj vetëm në tregun e Ukrainës.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.