Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 369 prot. i AK, datë 16.05.2024 “Njoftim përqendrimi dhe kërkesë për autorizim të përqendrimit”, me të cilën jemi njoftuar mbi transaksionin e propozuar lidhur me përfitimin e kontrollit të shoqërisë DS SMITH PLC nga shoqëria INTERNATIONAL PAPER COMPANY.
Referuar dokumenteve të depozituara, palët në transaksion janë:
Ofertuesi: INTERNATIONAL PAPER COMPANY është një shoqëri e regjistruar sipas legjislacionit të Shtetit të New York.
INTERNATIONAL PAPER COMPANY është një ofrues global i paketimeve me bazë fibrash të rinovueshme, produkteve të letrës dhe fibrës bimore (pulp) dhe riciklimit përkatës. Ajo u shërben klientëve në mbarë botën, me njësi prodhuese në Amerikën e Veriut, Amerikën Latine, Afrikën e Veriut, dhe Evropë.
Target: DS SMITH PLC është një shoqëri publike me përgjegjësi të kufizuar e themeluar sipas legjislacionit të Anglisë dhe Uellsit.
DS SMITH PLC është shoqëria fundore mëmë e grupit të shoqërive DS SMITH Group.
DS SMITH Group është aktive kryesisht në prodhimin dhe shitjen e ambalazheve të valëzuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Zonën Ekonomike Evropiane. DS SMITH Group mbledh gjithashtu letër të përdorur dhe kartonë të valëzuar, për të prodhuar letër të ricikluar për ambalazhim të valëzuar.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.