Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 478 prot., i AK, datë 05.07.2024, “Njoftim Përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë Cura Domo Holding GmbH nga shoqëria Mavie Next GmbH.
Referuar dokumenteve të depozituara, palët në transaksion janë:
Investitori: Mavie Next GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar sipas legjislacionit të Austrisë, e cila është një ofrues gjithëpërfshirës i kujdesit shëndetësor aktiv në fushat e plakjes aktive, kujdesit parësor dhe shëndetit mendor, si dhe në fushën e marrëdhënies prind – fëmijë. Zgjidhjet e saj bazohen si në parandalim, ashtu dhe në rehabilitim.
Mavie Next GmbH është filial i UNIQA Group, i cila është e pranishme në Shqipëri nëpërmjet tre filialeve të saj: SIGAL LIFE UNIQA Group AUSTRIA SHA; SIGAL UNIQA Group AUSTRIA SHA dhe SIGAL UNIQA INVEST – Shoqëria Administruese e Fondeve të Pensionit Privat dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive SHA.
Target: Cura Domo Holding GmbH, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar sipas legjislacionit të Austrisë.
Cura Domo Holding GmbH është një biznes familjar austriak i mesëm. Ajo ofron shërbime në fushën e kujdesit 24-orësh në shtëpi, shtëpive të kujdesit (jetës së asistuar) dhe menaxhimit të objekteve.
Shoqëria target Cura Domo Holding GmbH nuk ka filial në Shqipëri dhe nuk realizon të ardhura në Shqipëri.
Themeluesi 1. z. R. P. është person fizik.
Themeluesi 2. znj. A. P.-T. është person fizik.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.