Rasti: Përftimi i kontrollit të përbashkët të shoqërisë AGFD TANDAREI SRL nga shoqëritë Ingredion Germany GmbH dhe AGRANA Stärke GmbH.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 685 prot. i AK, datë 18.10.2024 “Konfirmim i Depozitimit të Dokumenteve”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin për blerjen e synuar të 49% të kapitalit aksionar të AGFD TANDAREI SRL nga shoqëria Ingredion Germany GmbH.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Blerësi: Ingredion Germany GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar,  e themeluar sipas legjislacionit gjerman, i cili është aktiv në tregun e zhvillimit dhe prodhimit të niseshteve speciale të ndryshme që përdoren si përbërës funksionalë në prodhimin e një game të gjerë produktesh ushqimore.

Grupi Ingredion nuk ka filial në Shqipëri, por ka realizuar të ardhura në Shqipëri gjatë vitit 2023.

Shitësi: AGRANA Stärke GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Austrisë, e cila menaxhon divizionin niseshteve të Grupit AGRANA. Ky divizion ofron produkte niseshte për industrinë e ushqimit dhe pijeve, si dhe për sektorë si letra, tekstile, kozmetikë, materiale ndërtimi dhe industri të tjera jo-ushqimore. Operacionet e tij të niseshteve gjithashtu prodhojnë plehra dhe ushqime për kafshët. Prodhimi i bioetanolit për përzierje me benzinë është njëkohësisht pjesë e aktiviteteve  të këtij divizioni.

AGRANA realizon xhiro në Shqipëri dhe operon nëpërmjet shoqërisë AGRANA-STUDEN Albania SHPK, e cila është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me objekt aktiviteti: tregtimi me shumicë i sheqerit dhe prodhimeve të tjera ushqimore, si dhe veprimtari të tjera që kanë lidhje me tregtimin me shumicë/pakicë, distribucionin, logjistikën etj.

Target: AGFD TANDAREI SRL është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Rumanisë. Ajo aktualisht prodhon niseshte natyrale nga misri konvencional dhe misri me përmbajtje të lartë amiloze si dhe sasi të vogla  të niseshteve industriale të mesme dhe produkteve jo-niseshte në facilitetin e saj të prodhimit të vendosur në Tãndãrei, Rumani.

Shoqëria AGFD TANDAREI SRL nuk ka prezencë ligjore dhe nuk realizon xhiro në Shqipëri.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.