Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 458, datë 23.08.2023 “Njoftim përqendrimi dhe kërkesë për autorizim të përqendrimit”, me të cilën jemi njoftuar mbi transaksionin e propozuar mbi blerjen e kuotave të shoqërive MHB Wind Farms (Holdings) Limited dhe Taurbeg Limited nga shoqëria Statkraft Ireland Limited.
Referuar “Marrëveshje shitblerje kuotash”, palët pjesëmarrëse në transaksion janë:
Pala blerëse: Statkraft Ireland Limited është një shoqëri irlandeze e cila zhvillon, ndërton, zotëron dhe operon projekte të energjisë së rinovueshme. Ajo ka përvojë në një gamë të larmishme teknologjish si energjia nga era, diellore, asetet e ruajtjes së energjisë dhe shërbimet e rrjetit. Gjithashtu kjo shoqëri është e përfshirë në gjenerimin, transmetimin, shpërndarjen dhe furnizimin me enegji elektrike.
Grupi Statkraft është prezent në Shqipëri përmes dy filialeve të saj, Statkraft Renewables Albania SHPK dhe Devolli Hydropower SH.A., të cilët operojnë në tregun e prodhimit të energjisë elektrike.
Pala shitëse:
Shitësi 1: The Renewables Infrastructure Group (Uk) Investments Limited, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas regjistrit të shoqërive për Anglinë dhe Uells-in.
Shitësi 2: Wind Farm Holdings Limited, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar në Mbretërinë e Bashkuar.
Shoqëritë Target:
Target 1: MHB Wind Farms (Holdings) Limited është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit irlandez, me objekt aktiviteti: zhvillimi i veprimtarive tregtare si shoqëri holding dhe përfitimi përmes blerjes, qirasë, koncesioneve, granteve, licensave, të drejta opsioni, privilegje, toka, qira ndërtesash, aksione, kuota, interesa të kthyeshëm, polica sigurimi etj, si dhe të mbajë, të zhvillojë, të japë me qera, të shesë, të disponojë, të asistojë ose të marrë pjesë në transaksione financiare, tregtare, industriale dhe transaksione të tjera, ndërmarrje dhe veprimtari tregtare të çdo lloji etj.
Target zotëron 100% filialin MHB Wind Farms Limited.
MHB Wind Farms Limited (Filiali MHB) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit Irlandez dhe me aktivitet kryesor: kërkime të tjera dhe zhvillime eksperimentale mbi shkencat natyrore dhe inxhinierinë.
Shoqëria Target 2: Taurbeg Limited është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit irlandez, me objekt aktiviteti: gjenerimi i energjisë nga era; zhvillimi dhe promovimi i gjenerimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, shpërndarja dhe furnizimi i saj; përftimi përmes blerjes, qirasë, shkëmbimit ose marrjes së opsioneve mbi tokat dhe pasurive të tjera të çdo lloji etj.
Shoqëritë target nuk janë prezente dhe nuk gjenerojnë xhiro në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilave duhet respektivisht të realizohen ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit, si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al