Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 554, datë 29.09.2023 “Njoftim përqendrimi dhe kërkesë për autorizim të përqendrimit”, ku jemi njoftuar mbi transaksionin e propozuar mbi blerjen e kuotave të shoqërisë Svevind Nordic AB nga shoqëria Statkraft Sverige AB, së bashku me filialin e saj Hästliden Nordic Vind AB.
Referuar “Marrëveshje shitblerje kuotash”, palët pjesëmarrëse në transaksion janë:
Pala blerëse: Statkraft Sverige AB është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Suedisë, prodhuesi i katërt më i madh i energjisë elektrike në Suedi. Statkraft Sverige AB prodhon energji të pastër nga hidrocentralet dhe energjia e erës.
Statkraft Sverige AB zotërohet nga shoqëria Statkraft AS, shoqëria mëmë e disa filialeve të Grupit Statkraft. Grupi Statkraft zhvillon dhe operon asete të energjisë së rinovueshme, ofron shërbime energjie për ngrohje dhe shet dhe blen energji.
Grupi Statkraft është prezent në Shqipëri përmes dy filialeve të tij, Statkraft Renewables Albania SHPK dhe Devolli Hydropower SH.A., të cilët operojnë në tregun e prodhimit të energjisë elektrike.
Pala shitëse: Svevind AB, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit suedez, me objekt aktiviteti: planifikimi, zhvillimi, projektimi, shitja dhe operimi i energjisë së erës dhe PV diellore në tokë, si dhe projekte të hidrogjenit të gjelbër .
Shoqëria Target : Svevind Nordic AB është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Suedisë dhe me objekt aktiviteti zhvillimi i projekteve të energjisë nga era në Suedi.
Shoqëria Target nuk është prezent dhe nuk gjeneron xhiro në Shqipëri.
Target zotëron një filial, shoqëria Hӓstliden Nordic Vind AB, e themeluar për të zotëruar të gjitha të drejtat e projektit dhe asetet e lidhura me projektin e fermës së erës Hӓstliden Greenfield.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilave duhet respektivisht të realizohen ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit, si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.