Rasti: Krijimi i një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota, nga shoqëritë AGNA SHA, Albanian General Electricity SHA dhe Seman Sunpower SHPK.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 880 prot. i AK, datë 06.01.2025 “Formulari i Thjeshtuar i Njoftimit të Përqendrimit.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala 1: AGNA SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: import-export i mallrave industriale e ushqimore, materiale ndërtimi, prodhime bujqësore dhe blegtorale, prodhim e shitje pije alkolike; aktive në fushën e investimit në ndërtim, në fushën e shitblerjes së trojeve për ndërtim, për turizëm, fshatra turistike, moteleri dhe hoteleri; tregtim import – eksport i produkteve dhe nënprodukteve të duhanit; shitblerje, marrje ose dhënie me qera të pasurive të paluajtshme dhe atyre të luajtshme; veprimtari trajnuese dhe certifikuese të punonjësve të administratës publike, punonjësve të institucioneve arsimore; auditimi etj.

Pala 2: Seman Sunpower SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti prodhimin e energjisë elektrike duke shfrytëzuar burimet e energjisë të cilat gjenden në natyrë dhe janë të rinovueshme, si ajo hidrike, diellore, e erës, gjeotermale, e biomasës ose biogazit, si dhe energjia nga mbetjet urbane; projektimi, ndërtimi dhe studimi i hidrocentraleve, termocentraleve apo impianteve, të cilat bëjnë të mundur shfrytëzimin e burimeve të energjisë që gjenden në natyrë dhe janë të rinovueshme, si dhe projektimi dhe studimi i Nënstacioneve të Linjave të Transmetimit TU dhe TL; shitja e energjisë elektrike klientëve dhe blerja e energjisë elektrike nga operatorë të ndryshëm privat apo shtetëror brenda dhe jashtë vendit, transmetimi i energjisë elektrike në sistemin e tensionit të lartë, funksion i cili përfshin transmetimin ose interkonjeksionin ndërkombëtar etj.

Pala 3: Albanian General Electricity SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: studime dhe analiza në fushën e energjisë; projektimi i të gjitha llojeve të veprave energjetike; ndërtimi i hidrocentraleve të të gjitha llojeve e impianteve të ndryshme energjetike; ndërtimi i linjave të tensionit e interkonjeksionit të të gjitha niveleve të tensionit; operimi optimal tekniko ekonomik i hidrocentraleve, termocentraleve dhe llojeve të tjera të impianteve të erës, termale, gjeotermale e solare për prodhimin e energjisë elektrike; transmetimi i energjisë elektrike në sistemin e tensionit të lartë, funksion i cili përfshin transmetimin ose interkonjeksionin ndërkombëtar etj.

Ndërmarrje e Përbashkët (JV): ASSA ENERGY SOLUTIONS SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: projektim, financim, ndërtim, operim dhe mirëmbajtje e impiantit fotovoltaik me një kapacitet të instaluar 10 MW me vendndodhje në Grykën Seman Fier, në përputhje me kriteret dhe rregullat që rrjedhin nga detyrimet ligjore të përcaktuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.