Kuvendi i Shqipërisë,
Duke vlerësuar rolin e Autoritetit të Konkurrencës në sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg në zbatim të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar;
Duke njohur bashkëpunimin e këtij Autoriteti me institucionet qendrore e ato rregullatore për aktet që mund të prekin funksionimin e konkurrencës në tregje;
Duke konsideruar se mirëfunksionimi i tregjeve kërkon gjithëpërfshirjen e aktorëve dhe faktorëve të tregut për t’i bërë ata konkurrues dhe sa më të hapur, me synim mirëqenien e konsumatorit;
Vlerëson veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2019 në drejtim të:
– Monitorimit të përmbushjes së rekomandimeve të dhëna në tregjet e hetuara, veçanërisht kontratat koncesionare në fuqi, të cilat sjellin deformime të konkurrencës në treg.
– Ndërhyrjes në shumë sektorë të ekonomisë, ku janë evidentuar dhe zbuluar praktika antikonkurruese, duke marrë masat e duhura për rikthimin e konkurrencës në treg.
– Plotësimit të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në fushën e konkurrencës, duke vijuar procesin e përafrimit të legjislacionit me direktivat europiane në këtë fushë.
– Rritjes së numrit të rekomandimeve dhënë institucioneve të tjera, me qëllim ruajtjen e mjedisit konkurrues dhe nxitjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.
Kuvendi kërkon që Autoriteti i Konkurrencës për vitin 2020 të përmirësojë punën në këto drejtime:
• Të mbajë në monitorim dy përqendrimet e autorizuara gjatë vitit 2019 në dy nga tregjet me impakt të drejtpërdrejtë në interesat dhe mirëqenien e konsumatorëve, si: tregu i telefonisë celulare dhe tregu financiar, me qëllim vlerësimin e efekteve që do të sillte në treg ndryshimi i kontrollit të shoqërive respektive.
• Të vlerësojë përmbushjen e rekomandimeve të dhëna pas marrjes së vendimit përfundimtar për dokumentin për këshillim publik “Analizë e tregut të shërbimeve celulare – tregu me shumicë i aksesit dhe origjinimit në rrjetet celulare” nga AKEP-i, si dhe të marrë të gjitha masat ndaj kufizimeve të konkurrencës në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
• Të propozojë rekomandime konkrete për tregjet që janë hetuar gjatë vitit 2019, për të cilat ka pasur dyshime të arsyeshme apo janë konstatuar marrëveshje të ndaluara ose abuzim me pozitën dominuese, si: tregu i shërbimeve bankare, tregu i veprimtarive ekonomike që zhvillohen nga Federata Shqiptare e Futbollit, tregu i importit të grurit dhe prodhimit të miellit, tregu i prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, tregu i shërbimeve spitalore, sektori i arsimit të lartë, tregu i depozitimit dhe devijimit të energjisë elektrike.
• Të përditësojë vazhdimisht informacionin për vendimet dhe statusin e rekomandimeve të Komisionit të Konkurrencës në Platformën Ndërinstitucionale Online.
• Të realizojë amendimet ligjore të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, në përputhje me acquis të Bashkimit Europian dhe problematikat e dala gjatë zbatimit të ligjit, si dhe të rishikojë kuadrin sekondar ligjor.
• Të shpeshtojë zhvillimin e seminareve dhe takimeve me entet rregullatore, aktorë të ndryshëm të tregut, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si dhe me Shkollën e Magjistraturës, për njohjen sa më të saktë e të plotë të veçorive të ligjit të konkurrencës dhe rolin e Autoritetit të Konkurrencës në garantimin e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.
Kuvendi u kërkon organeve ekzekutive të të gjitha niveleve të bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës:
– Duke zbatuar detyrimin për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt akt normativ, që ka si objekt ose pasojë dhënien e të drejtave ekskluzive ose kufizime sasiore apo cilësore të konkurrencës në tregje ose sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe veçanërisht për kontratat koncesionare.
– Për konsultime të përhershme në procesin e përgatitjes dhe miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg.
Miratuar në datën 4.6.2020