Lidhur me shkrimet me titull:
“Çmimi i bukës, Autoriteti i Konkurrencës mbron oligarkët e miellit? I kapi me shkelje, nuk i dënoi, tani thotë se do dalë me një vendim” i publikuar në portalin Albeu.com, https://albeu.com/lajme/cmimi-i-bukes-autoriteti-i-konkurrences-mbron-oligarket-e-miellit-i-kapi-me-shkelje-nuk-i-denoi-tani-thote-se-do-dale-me-nje-vendim/142066/
dhe
“Shtrenjtimi i bukës, Konkurrenca thotë se mbaroi hetimin për importuesit: Do të shohim nëse do t’i gjobisim”, i publikuar në faqen e ABC news, https://abcnews.al/shtrenjtimi-i-bukes-konkurrenca-behet-pale-me-importuesit-e-miellit-mjaftohet-me-vetem-nje-keshillim/
Autoriteti i Konkurrencës dëshiron të saktësojë sa më poshtë:
Komisioni i Konkurrencës vendosi mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrimenë korrik të vitit të kaluar me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020, i cili ndodhet i publikuar në faqen e Autoritetit.
Autoriteti i Konkurrencës fton gazetarët përgjegjës për artikullin në fjalë të lexojnë këtë vendim publik, me shpresën që të korigjojnë gabimet e rënda dhe të realizojnë misionin e tyre për informimin e drejtë dhe të saktë të publikut.
Vendimi nr. 700 nuk mjaftohet vetëm me një këshillim, siç thuhet në artikull, por u ka dhënë kushte dhe detyrime ndërmarrjeve, të cilat janë detyruese edhe pas mbarimit të periudhës 1 vjeçare të monitorimit.
Në vendimin nr. 700 thuhet shprehimisht se është konstatuar sjellja e bashkrenduar midis ndërmarrjeve për shkak të integrimit vertikal, për periudhën 2017 – 2019, dhe nuk thuhet se është konstatuar marrëveshje për përcaktimin e çmimit të miellit siç thueht në artikull.
Vlen të theksohet sërish se ndryshe nga çfarë shkruhet në artikull, hetimi në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, është mbyllur në korrik të vitit të kaluar.
Lidhur me sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës do dalë me një vendim mbi përmbushjen apo jo të kushteve dhe detyrimeve të dhëna me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020.
Si përfundim, Autoriteti i Konkurrencës dëshiron të shprehë rezerva lidhur me këtë shkrim keqinformues, dezinformues dhe të pasaktë dhe gjykon se të tillë artikuj dëmtojnë rëndë interesin publik.