Njoftime për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 24.10.2022, vlerësoi përputhshmërinë me rregullat e konkurrencës të draft Marrëveshjes Kuadër për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” dhe marrëveshjeve të tjera të dakortësuara ndërmjet Komitetit të Negociimit të Marrëveshjeve dhe Subjektit Investues, Eagle Hills Real Estate Development SHPK.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar dokumentacioni në lidhje me implementimin dhe zbatimin e projektit të investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”, për marrjen e vlerësimit paraprak për këto draft marrëveshje në kuptim të nenit 69 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Projekti i investimit “Marina & Jahtet e Durrësit” gëzon statusin e “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” si një projekt i integruar turistik dhe i një rëndësie strategjike për vendin, mbi të cilin janë negociuar draft marrëveshjet e përcjella ndërmjet shtetit shqiptar dhe investitorit strategjik. Në bazë të tyre parashikohet, ndër të tjera, krijimi i një shoqërie aksionare me ofertë publike “Investitori Strategjik”, me pjesëmarrje shtetërore, që do të zhvillojë prona të paluajtshme me përdorime të ndryshme dhe objekte detare në Zonën e Projektit si dhe do të operojë dhe menaxhojë veprimtari të ndryshme të biznesit, duke patur të drejta ekskluzive në përdorimin e Marinës.

Në përfundim të vlerësimit të draft Marrëveshjes Kuadër dhe marrëveshjeve të tjera të dakortësuara, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr. 917, datë 24.10.2022, vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që:

i. Përpara se Porti Marina Jahte Durrës të deklarohet i hapur për trafik ndërkombëtar, të miratojë metodologjinë e përcaktimit të tarifave të shërbimeve portuale të ofruara nga Investitori Strategjik, tarifa të cila duhet të jenë të orientuara drejt kostos.
ii. Investitori Strategjik të miratojë një rregullore mbi funksionimin e Portit Marina Jahte Durrës ku të përcaktojë qartë mënyrën e operimit të mjeteve lundruese sipas parimit “kush hyn i pari do shërbehet i pari”, si dhe të drejtën e barazisë për shoqëritë që do të kryejnë shërbime pranë këtij porti, duke vendosur kushte të barabarta për veprime tregtare të njëjta.
iii. Investitori Strategjik të miratojë programe të përputhshmërisë me ligjin nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për të gjitha shërbimet që do të ofrojë në Portin Marina Jahte Durrës.

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) që brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes së ndërmarrjes së përbashkët, Investitori Strategjik (JV), të depozitojë pranë Autoritetit të Konkurrencës, njoftimin në zbatim të nenit 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, sipas parashikimeve në draft Marrëveshjen Kuadër.

Për më tepër, ju lutem konsultohuni me faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në https://caa.gov.al/.

 

Njoftim_per_shtyp_24_tetor_2022

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.