Njoftime për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 09.11.2022, vendosi për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking Albania SHPK dhe miratimin e angazhimeve të kësaj ndërmarrje si të detyrueshme, në formën e kushteve dhe detyrimeve.

Autoriteti i Konkurrencës, pas verifikimit të dokumentacionit të depozituar nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK e vlerësoi këtë dokumentacion si jo të plotë, duke mos pasur informacion thelbësor si për analizën e detajuar për formimin e çmimit të telepasit, kopje të kontratave të lidhura me subjektet që operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve si dhe për çdo subjekt tjetër, për periudhën 1 janar 2019 – 31 dhjetor 2021, si dhe shpjegimet përkatëse për subjekte të cilave nuk ju është rinovuar kontrata e qerasë për vitin 2022, duke vështirësuar procedurat hetimore sipas ligjit nr.9121/2003.

Në vijim, Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se, angazhimet e depozituara nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK janë të mjaftueshme për të adresuar shqetësimet e konkurrencës në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport), duke i përcaktuar këto angazhime si “të detyrueshme” në formën e kushteve dhe detyrimeve.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr. 921, datë 09.11.2022, vendosi:

I. Mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Star Parking Albania SHPKnë tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” (Tirana International Airport).

II. Gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking Albania SHPK në masën 1% të xhiros të vitit paraardhës financiar, përkatësisht në shumën 1,614,899 (një milion e gjashtëqind e katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e nëntë) Lekë.

III. Miratimin e angazhimeve të depozituar nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK, si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve, si më poshtë vijon:

1. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK të hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit;
2. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos, për ndërmarrjet që pajisen me telepas si dhe për çdo shërbim tjetër;
3. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK nuk do të zbatojë kushte të pabarabarta me ndërmarrjet të cilat lidhin kontratë me Star Parking për tu pajisur me telepas, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence.

IV. Ndërmarrja Star Parking Albania SHPK ka detyrimin të mos abuzojë me pozitën dominuese veçanërisht:

1. vendosjen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;
2. kufizimin e prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;
3. zbatimin e kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
4. vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

V. Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në dispozitivin e këtij vendimi, ndërmarrja Star Parking Albania SHPK në zbatim të nenit 76, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003 ndëshkohet me penalitetin përkatës.

VI.  Për përmbushjen e kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në pikën III të këtij vendimi, ndërmarrja Star Parking Albania SHPK do të monitorohet për një periudhë 1 vjeçare.

Komisioni i Konkurrencës mori gjithashtu në shqyrtim aplikimin për miratimin e tarifave për shërbimin e shitjes së ujit me shumicë për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Durrës SHA.

ERRU ka informuar Autoritetin e Konkurrencës se ka filluar procedurën për shqyrtimin e aplikimit për miratimin e tarifave të shërbimit të shitjes së ujit me shumicë për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizimit Durrës SHA, dhe më konkretisht në miratimin e nivelit tarifor të këtij shërbimi për UK Vorë SHA dhe UK Kurbin SHA.

Referuar analizës tekniko-ekonomike, ERRU ka konstatuar se tarifa e propozuar e shitjes së ujit me shumicë për herë të parë për UK Vorë SHA dhe UK Kurbin SHA nga ofruesi i shërbimit UK Durrës SHA është në nivele më të larta, dhe për rrjedhojë ka miratuar tarifa më të ulëta të cilat do të shërbejnë për mbulimin e kostove totale, duke mos shkaktuar pasoja negative në mjedis në zonën e ofrimit të shërbimit ku do të aplikohet tarifa. Për përmirësimin e performancës financiare dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve, ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Durrës SHA, duhet të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos së shërbimeve dhe të mundësojë ndarjen e këtyre shërbimeve sipas kostove të tyre operacionale.

Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 919, datë 09.11.2022, vendosi t’i rekomandojë Entit Rregullator të Ujit, që tarifat e ndryshuara që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Durrës SHA, për shitjen e ujit me shumicë për UK Vorë SHA dhe UK Kurbin SHA të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve, të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit dhe të jenë transparente në faqen e ERRU-së.

Për më tepër, ju lutem konsultohuni me faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në https://caa.gov.al/ .

Njoftim_per_shtyp_9_nentor_2022_final

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.