Njoftime për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 16.12.2022, mori në shqyrtim dy njoftime përqendrimi të realizuara në tregun ndërkombëtar.

1. Përqendrimi i realizuar nëpërmjet krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota, nga shoqëritë ILS sp z.o.o. dhe shoqëria DANX Group A/S.
2. Përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit shoqërisë SelfNest d.o.o. nga shoqëria Nelt Co. d.o.o. Dobanovci
Përqendrimet e njoftuara nuk krijojnë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, nuk do të sjellin asnjë ndryshim dhe nuk do të kenë ndikim në tregun shqiptar.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 932, datë 16.12.2022, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota, nga shoqëritë ILS sp z.o.o. dhe shoqëria DANX Group A/S; dhe me Vendimin nr. 933, datë 16.12.2022, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë SelfNest d.o.o. nga shoqëria Nelt Co. d.o.o. Dobanovci.
Gjithashtu në mbledhjen e tij, Komisioni i Konkurrencës me Vendim nr. 931, datë 16.12.2022 vendosi:
I. Mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit të karburanteve naftë dhe benzinë.
II. Ndërmarrjet që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë, kanë detyrimin ligjor të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktika të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht:
a. të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
b. të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
c. të ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
d. në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
e. të kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.

Po sot, në date 16.12.2022, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim rastin me problematikat e bizneseve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të lidhura në nivel tensioni 35 kv. Pas vlerësimit të ankesës së ndërmarrjeve ERZENI SHPK dhe GJIROFARMA SHA lidhur me problematikat e bizneseve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të lidhura në nivel tensioni 35 kv, konstatoi se çmimi i energjisë në tregun e rregulluar është shumë herë me i ulët se në tregun e lirë, duke lejuar kështu që ndërmarrjet të cilat nuk kanë dalë ende në treg të lirë, të kenë kosto energjitike më të ulëta se ndërmarrjet të cilat kanë dalë nga tregu i rregulluar. Kjo situatë është krijuar për shkak të parashikimeve ligjore të cilat kanë lejuar operimin e tregut në kushte të pabarabarta, të cilat janë vënë në dukje me daljen e subjekteve në treg të lirë.
Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr.930, datë 16.12.2022 vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë marrjen e iniciativës ligjore për rishikimin e pikës 6 të nenit 85 të ligjit nr. 43, datë 30.04.2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar.
Për më tepër, ju lutem konsultohuni me faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në https://caa.gov.al.

 

njoftim_16.12.2022

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.