Nisur nga deklarata e bërë publike në disa media elektronike dhe vizive sot në datë 29 Mars 2022 nga Shoqata e Tregtarëve të Plehrave Kimike dhe Agrobiznesit (AFADA) në lidhje me vërejtjet që kjo shoqatë ka për Vendimin nr.874, datë 25.03.2022 të Autoritetit të Konkurrencës, me transparencë dhe në interes të plotë për publikun dhe mediat që na ndjekin me shqetësim, Autoriteti i Konkurrencës sqaron si më poshtë:
Përpara së gjithash, duam të theksojmë se, Autoriteti i Konkurrencës, në respekt të ligjit dhe praktikave më të mira ndërkombëtare që ndjek, e sheh veten si një arbitër të biznesit dhe veprimtarinë e tij plotësisht në favor të ndërmarrjeve, pasi sigurimi i një mjedisi konkurrues biznesi në cdo rast krijon një mjedis të shëndetshëm për shumicën absolute të bizneseve, me synim krijimin dhe mirëmbajtjen e tregut efektiv, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve-konsumatorë. Të vetmit biznese që nuk e dëshirojnë ekzistencën profesionale të Autoritetit të Konkurrencës janë ato biznese që përfitojnë duke abuzuar nga pozitat dominuese apo nga marrëveshjet e paligjshme, në kurriz të konkurrencës së drejtë dhe të konsumatorit.
Sic është bërë e njohur, me vendimin nr.874, datë 25.03.2022 Komisioni i Konkurrencës, në përfundim të “procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike Dap, Nitrat dhe Ure, ndaj ndërmarrjeve: ARLI INTERNACIONAL SHPK, AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK, ECO-GREEN SHPK, LILA SHPK, AGRO-MENS SHPK, ÇAÇA SHPK, IAM SHPK, AGROHELP-SA SHPK dhe BESNIKU SHPK”, vendosi:
-Gjobitjen e ndërmarrjes AGRO BLEND SHPK në shumën 118,978,015 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, germat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.
-Gjobitjen e ndërmarrjes MBM SHPK në shumën 66,088,573 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, germat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.
-Gjobitjen e ndërmarrjes CACA SHPK në shumën 7,087,994 Lekë, për shkelje të nenit 4, pika 1, germat a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003.
Ky vendim nuk erdhi nga rastësia, por si pasojë e një procedure hetimi të plotë e të gjithanshëm, të filluar nga AK gati një vit më parë (mars 2021).
Konkretisht, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr.783, datë 12.03.2021, vendosi hapjen e hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për të vlerësuar nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës, sipas parashikimeve të ligjit nr.9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike, pasi kishte të ngjarë për shkelje të ligjit, referuar sjelljes së ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 784, datë 12.03.2021 vendosi marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.
Në vazhdim të procedurës, në zbatim të vendimeve të mësipërme, Inspektorët e AK proceduan me kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që operojnë në tregun objekt hetimi.
Në vijim, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin 794, datë 27.04.2021 vendosi “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve Agroblend SHPK, MBM SHPK, ÇAÇA SHPK për mos zbatimin e masës së përkohshme marrë me VKK nr. 784, datë 12.03.2021, “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore”.
Të tre ndërmarrjet janë ankuar në Gjykatën Administrative Tirane dhe janë duke ndjekur procedurat gjyqësore.
Pas përfundimit të procedurës së hetimit paraprak dhe konkluzioneve përkatëse, Komisioni i Konkurrencës me anë të vendimit nr.806, datë 04.06.2021, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure, për periudhën kohore nga 01.01.2020 – 30.09.2021.
Në respekt të ligjit, për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin dhe hartimin e raportit me gjetjet përfundimtare, Autoriteti i Konkurrencës kërkoi të dhëna dhe informacion nga: ndërmarrjet që operojnë në tregun objekt hetimi; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Qendra Kombëtare e Biznesit; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe zhvilloi seanca dëgjimore me përfaqësues të disa ndërmarrjeve nën hetim dhe të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Theksojmë faktin se procedurat hetimore të parashikuara nga ligji nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, qe janë të parashikuara sipas Kreut II, Procedurat e përgjithshme Administrative, dhe Kreu III, Seksioni I, Procedurat për hetimet, janë procedura të ndjekura profesionalisht dhe ne respekt te ligjit nga ana e AK, te cilat sigurojnë transparence në procedurat hetimore, komunikim me ndërmarrjet nën hetim.
Në përfundim të procedurës hetimore, Komisioni i Konkurrencës në zbatim të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” ka ftuar ndërmarjet Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK, për tu shprehur në lidhje me gjetjet e parashtruara në raport. Bashkëlidhur ftesës përkatëse cdo ndërmarrje i është dërguar edhe Raporti i hetimit të thelluar (natyrisht, duke fshirë të dhënat konfidenciale për ndërmarrjet konkurrente nën hetim). Në vijim të kësaj procedure është ftuar edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MZHBR), për tu shprehur në lidhje problematikat që ka tregu nën hetim.
Në përgjigje të ftesës (bashkëlidhur me raportin), në datën 17.03.2022 janë realizuar seancat dëgjimore me përfaqësues nga Agro Blend SHPK, CACA SHPK dhe përfaqësues të MZHBR. Me shkresën nr.169/2 datë 15.3.2022, MBM SHPK kërkoi shtyrjen e seancës dëgjimore, duke argumentuar se “raporti i hetimit te thelluar është material i hollësishëm dhe voluminoz” dhe se e kishin te pamundur të paraqisnin me shkrim pretendimet e tyre brenda datës 17.03.2022. Me mirëkuptim të plotë Komisioni vendosi shtyrjen e afatit dhe e realizoi seancën dëgjimore me MBM SHPK në datën 23.03.2022.
Agro Blend SHPK i ka depozituar pretendimet me shkrim ndaj raportit në datën 17.03.2022, CACA SHPK në datën 16.03.2022 dhe MBM SHPK në datën 23.03.22.
Sjellim në vemendje se mbledhjet e Komisionit të Konkurrencës dhe seancat dëgjimore realizohen me regjistrim audio për të siguruar një transparencë maksimale me subjektet nën hetim, çka përbën një standart nga më të lartët në lidhje me procedura të tilla, të parashikuara edhe në Kreun V, “E drejta për tu dëgjuar” të Rregullores “Për procedurat Hetimore të AK miratuar” (2011). Palëve iu bëhet me dije paraprakisht se e gjithë procedura por regjistrohet.
Meriton të theksohet se, gjatë seancave dëgjimore asnjë nga ndërmarrjet nuk ka kontestuar të dhënat e raportit, përpunimin e të dhënave dhe konkluzionet e raportit të hetimit të thelluar. Procesverbali i seancave dëgjimore, i zbardhur dhe i firmosur nga Komisioni i Konkurrencës, në bazë të nenit 30 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” konsiderohet e dhënë konfidenciale, ai nuk bëhet publik por ka forcë provuese përpara gjykatës.
Në përfundim të procedurës hetimore, referuar analizës së provave indirekte në lidhje me sjelljen e ndërmarrjeve nën hetim, rezultoi rritja e treguesve të përqendrimit, rritja e njëkohshme dhe në mënyrë të menjëhershme e çmimit të shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes dhe duke ndarë tregjet, ndaj edhe Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se, sjellja e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK, gjatë periudhës nën hetim vjen në kundërshtim me nenin 4 pika 1, germa a) dhe c), të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” parashikon se: Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba, në masën “deri në 10 për qind të xhiros së ndërmarrjes, të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje”. Rregullorja “Për gjobat dhe lehtësimin prej tyre” (2009) e Autoritetit të Konkurrencës përcakton se “Komisioni në përcaktimin e vlerës bazë, përdor vlerën e të ardhurave nga shitja e produkteve të ndërmarrjes, me të cilat lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, shkelja e kryer në tregun përkatës”. Pra, me “xhiro”, sipas rregullores, përcaktohet xhiro ne tregun nen hetim dhe jo krejt xhiroja që mund të bëje një ndërmarrje, e cila shet edhe miell, edhe drithra, edhe vaj, sheqer, ushqime për kafshe, etj., (si p.sh. një nga kompanitë e gjobitura).. Nëse një sipërmarrje cenon konkurrencën ne tregun e plehrave kimike, s’ka pse të gjobitet për shitjet/sjelljen në produktet e tjera që tregton. Do të ishte thjesht e padrejtë. Kjo metodologji ndiqet nga çdo autoritet konkurrence me të cilat bashkëpunon AK.
Në rastin e trajtuar nga Vendimi nr. 874/2022, bazuar në legjislacionin e sipërcituar, gjobat për te tre ndërmarrjet e sanksionuara janë respektivisht:
– 9% të vlerës së shitjeve ne tregun përkatës objekt hetimi (duke zbritur taksat dhe tatimet në raport me këtë vlerë, vlera të cilat janë deklaruar nga vetë ndërmarrjet nën hetim) për Agro Blend SHPK, ndërmarrje e cila ka pozitë dominuese, pasi janë vlerësuar: kohëzgjatja e shkeljes, rrethanat rënduese dhe lehtësuese;
– 7% të vlerës së shitjeve ne tregun përkatës objekt hetimi (duke zbritur taksat dhe tatimet në raport me këtë vlerë, vlera të cilat janë deklaruar nga vetë ndërmarrjet nën hetim) për MBM SHPK pasi janë vlerësuar: kohëzgjatja e shkeljes, rrethana rënduese dhe lehtësuese;
– 3% të vlerës së shitjeve ne tregun përkatës objekt hetimi (duke zbritur taksat dhe tatimet në raport me këtë vlerë, vlera të cilat janë deklaruar nga vetë ndërmarrjet nën hetim) për CACA SHPK, pasi janë vlerësuar: kohëzgjatja e shkeljes, rrethana rënduese dhe lehtësuese;
Përtej gjobitjes së tre ndërmarrjeve të sipërcituara, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjithashtu edhe vendosjen nën monitorimin e tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure, edhe për një periudhë tjetër 1 (një) vjeçare, nga data e daljes së këtij vendimi.
Vendimet e Komisionit të Konkurrencës nr.783, datë 12.03.2021, nr. 794, datë 27.04.2021, nr.806, datë 04.06.2021 dhe nr. 874 datë 25.3.2022 janë publike në faqen zyrtare www.caa.gov.al.