Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 10.05.2024, mori në shqyrtim rastin e hapjes së procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit ndaj ndërmarrjeve të administrimit dhe ndërmarrjeve të internetit në rezidencat e banimit që këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë.

Komisioni i Konkurrencës në mbështetje të nenit 9 dhe nenit 42 të Ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, me vendimin nr. 1025, datë 18.10.2023 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve të administrimit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës në tregun e aksesit të shërbimit të internetit”, vendosi për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve të administrimit në rezidencat e banimit të qarkut të Tiranës në tregun e aksesit të shërbimit të internetit, për periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 13 tetor 2023.

Në zbatim të këtij vendimi, bazuar në nenin 33 të Ligjit nr. 9121/2003, u kërkuan të dhëna dhe informacion nga ndërmarrjet e administrimit dhe nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin e aksesit të internetit.

Në përfundim të analizës së informacioneve dhe të dhënave të siguruara, pasi rezultoi se:

  1. ekzistojnë problematika për kufizimin e aksesit nga ndërmarrje të tjera të administrimit në rezidencat e banimit në qarkun e Tiranës;
  2. disa nga ndërmarrjet e administrimit kanë aksionarë të përbashkët me ndërmarrjet e internetit, dhe ushtrojnë veprimtarinë në të njëjtën rezidencë banimi, duke sjellë kështu një integrim vertikal, ngrihen dyshime që në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit mund të këtë shkelje të nenit 4 të Ligjit nr. 9121/2003;
  3. në kuptim të nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sjellja e ndërmarrjeve të administrimit mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese duke refuzuar aksesin ndërmarrjeve të tjera që ofrojnë këtë shërbim; duke zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët dhe duke krijuar kushtet e favorshme për krijimin e pozitës dominuese të ndërmarrjeve të internetit brenda rezidencës që ata administrojnë;

Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 1078, datë 10.05.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit ndaj ndërmarrjeve të administrimit dhe ndërmarrjeve të internetit në rezidencat e banimit që këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë. Hetimi i thelluar përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2020 deri në 10 Maj 2024.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.

Shkarko Njoftimin

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.