Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 08.06.2023, ka miratuar me Vendim nr. 990, Udhëzimin “Mbi udhëzimet jozyrtare për sa i përket çështjeve të reja ose të pazgjidhura në lidhje me nenet 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” për raste individuale”, i cili është mbështetur në dokumentin e BE “Njoftim i Komisionit Evropian “Mbi udhëzimet jozyrtare për sa i përket çështjeve të reja ose të pazgjidhura në lidhje me nenet 101 dhe 102 TFBE” për raste individuale”.

Qëllimi i këtij Udhëzimi është ofrimi i sigurisë ndaj ndërmarrjeve mbi ligjshmërinë e veprimeve të tyre në lidhje me një marrëveshje ose praktikë që duan të zbatojnë, në rast paqartësie, në lidhje me zbatimin e neneve 4 ose 9 të Ligjit nr. 9121/2003.

Gjithashtu, në zbatim të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 874, datë 25.03.2022, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, ka kryer monitorimin e ndërmarrjeve AGROBLEND SHPK, MBM SHPK dhe ÇAÇA SHPK në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure.

Nga administrimi dhe vlerësimi i informacionit të depozituar për periudhën e monitorimit tetor 2021 – mars 2023, u konstatua se çmimet mesatare mujore të shitjes të ndërmarrjeve Agroblend SHPK, MBM SHPK dhe ÇAÇA SHPK, për plehrat kimike DAP, Nitrat dhe Ure, janë të ndryshme, nga ku rezulton se sjellja e këtyre ndërmarrjeve nuk përbën shkelje në kuptim të nenit 4 te ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr. 989, datë 08.06.2023 vendosi mbylljen e monitorimit në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, Nitrat dhe Ure.

Po sot, në datë 08.06.2023 Komisioni i Konkurrencës, mori në shqyrtim ratin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet bashkimit me përthithje të shoqërisë GEGA OIL SHA nga shoqëria GENKLAUDIS.

Përqendrimi ka krijuar mbivendosje midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar në tregun e naftës dhe benzinës, por pa efekte të ndjeshme në strukturën e tregut për shkak të pjesës së vogël të tregut të ndërmarrjes së përthithur.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 992, datë 08.06.2023 vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet bashkimit me përthithje të shoqërisë GEGA OIL SHA nga shoqëria GENKLAUDIS SHA.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në https://caa.gov.al.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.