Komisioni i Konkurrencës, bazuar në legjislacionin për konkurrencën në fuqi, ka autorizuar me vendimin nr. 865, datë 25.02.2022, përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Elpro Group Ag nga shoqëria Robert Bosch Internationale Beteiligungen Ag.
Robert Bosch Internationale Beteiligungen AG, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e krijuar në përputhje me ligjet e Zvicrës, me objekt aktiviteti: blerja, administrimi dhe shitja e investimeve të të gjitha llojeve, veçanërisht e atyre në shoqëri tregtare dhe prodhuese, në kuptimin e një shoqërie holding. Robert Bosch Internationale Beteiligungen AG është shoqëria mëmë fundore e Grupit Bosch, një furnizues aktiv, në nivel global, i teknologjisë dhe shërbimeve për industrinë e automobilave, teknologjinë industriale, mallrat e konsumit dhe energjisë dhe industrinë e teknologjisë së ndërtimit.
Elpro Group AG është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e krijuar në përputhje me ligjet e Zvicrës, me objekt aktiviteti; ofrimin e shërbimeve të plota që kanë të bëjnë me pajisjet monitoruese teknologjike të zinxhirëve të furnizimit me temperaturë të kontrolluar në industrinë farmaceutike, kujdesin shëndetësor dhe shkencat e jetës.
Bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni vlerësoi se përqendrimi nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar, duke mos patur asnjë ndikim në tregun shqiptar.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Elpro Group Ag nga shoqëria Robert Bosch Internationale Beteiligungen Ag.
Për më shumë shikoni Vendimin nr. 865, datë 25.02.2022 në caa.gov.al.