Njoftim për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 572 të Komisionit të Konkurrencës “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes EKMA në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës”

Autoriteti i Konkurrencës në përfundim të hetimit të thelluar në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës, me Vendimin nr. 572, datë 22.11.2018 “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes EKMA në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës”, vendosi gjobitjen e ndërmarrjes me 9.9% të xhiros vjetore dhe detyrimin për ndalimin e shkeljes së konkurrencës nëpërmjet masave përkatëse.

Ndaj këtij vendimi është kërkuar sigurimi i padisë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe gjyqtari z. Avni Sejdi e ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë me Vendimin e datës 27.12.2018. Në po këtë Gjykatë është përsëritur kërkesa për sigurimin e padisë nga ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK dhe po i njëjti gjyqtar me Vendimin e datës 10.01.2019 vendos pranimin e sigurimit të padisë duke pezulluar Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 572, datë 22.11.2018, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Vendimi i Gjykatës që pezullon ekzekutimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 572, datë 22.11.2018, i jep të drejtën ligjore ndërmarrjes që ka monopolin në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes të mos paguajë gjobën (9.99% të xhiros vjetore) për shkelje të rëndë të konkurrencës dhe të vijojë me moszbatimin e detyrimeve të lëna nga Autoriteti për shkelje të konkurrencës duke vijuar kështu:

1. Të vazhdojë të operojë me kontrata të njëanshme që nuk janë në përputhje me dispozitat e Kodit Civil për qiratë, duke vendosur palët, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të pabarabarta kontraktuale në zbatim të ligjit dhe zakoneve të mira tregtare;
2. Të vijohet me çmimet e larta ndaj qiramarrësve dhe mos të ketë çmime sipas zonës gjeografike apo të orientuara drejt kostos;
3. Qiradhënësi mos të ketë transparencë në detajimin e zërave dhe vlerave përkatëse që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit;
4. Qiradhënësi të vazhdojë me faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente (OSHEE dhe UKT) për faturat e dritave dhe ujit për qiramarrësit.

Pasojat e sigurimit të padisë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes do të jenë shumë të rënda për konkurrencën në këtë treg, për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e Vendimit të tij dhe konkurrencës në treg.

Dërgoni Ankesën Tuaj

Please enable JavaScript in your browser to complete this form.
Click or drag files to this area to upload. You can upload up to 3 files.
Njoftim mbi përpunimin e të dhënave personale

Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë, në përputhje me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Të dhënat do të përdoren vetëm për qëllimin e trajtimit të ankesës suaj dhe nuk do t’u transmetohen palëve të treta, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Skip to content