Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 660 prot. i AK, datë 27.07.2026 “Njoftimi i Përqendrimit ndërmjet Ibert Investments S.à.r.l. / IRCA Group Luxembourg Midco 4 S.à.r.l.”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit të vetëm të shoqërisë IRCA Group Luxembourg Midco 4 S.à.r.l. nga shoqëria Ibert Investments S.à.r.l.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: Ibert Investments S.à r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Dukatit të Madh të Luksemburgut, i cili zotërohet në mënyrë të tërthortë nga fonde të administruara nga dhe/ose administrohen nga shoqëri të lidhura me CVC Capital Partners plc. Ibert Investments është një mjet investimi i krijuar rishtazi, i zotëruar dhe i financuar në formë indirekte nga Fondet CVC.
Rrjeti CVC është një menaxher global i investimeve alternative, i fokusuar në investimet në kapital privat, kredi, infrastrukturë dhe investime dytësore.
Shitësi: IRCA Group Luxembourg Midco 3 S.à.r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar dhe që ushtron aktivitetin sipas legjislacionit të Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Shoqëria target: IRCA Group Luxembourg Midco 4 S.à r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Dukatit të Madh të Luksemburgut, e cila së bashku me filialet që zotëron në mënyrë direkte dhe indirekte përbëjnë IRCA Group, i angazhuar në prodhimin dhe shpërndarjen e përbërësve ushqimorë, produkteve gjysmë të gatshme dhe produkteve të gatshme për industrinë e ëmbëlsirave, akullores dhe produkteve të furrës.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
