Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 625 prot., i AK, datë 15.07.2026, “Njoftimi Përqendrimi – Merkantil Bank Zrt.”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi blerjen e 100% të kuotave të shoqërisë Business Lease Hungary Kft. nga shoqëria Merkantil Bank Zrt.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: Merkantil Bank Zrt. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, i specializuar në financimin e automjeteve dhe pajisjeve, duke përfshirë kredi dhe leasing për makina, automjete komerciale, makineri dhe asete të tjera prodhuese. Merkantil Bank është anëtare e Grupit OTP (Hungari).
Grupi OTP është prezent dhe realizon të ardhura në Shqipëri përmes filialit të saj OTP Bank Albania SHA.
Shitësi: Business Lease Group B.V. është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës.
Shoqëria target: Business Lease Hungary Kft. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, ofruese e shërbimeve të qirasë operative ( leasing afatgjatë i automjeteve) dhe administrimit të flotës, duke u shërbyer klientëve të biznesit në Hungari.
Business Lease Hungary Kft. nuk është prezent dhe nuk realizon të ardhura në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
